Osmani shkruan për takimin me Sir Rodney Williams: Mirënjohje për mbështetjen e Antigua dhe Barbuda ndaj shtetësisë së Kosovës

Sot ka filluar vizitën zyrtare në Kosovë, Kreu i Shtetit të Antigua dhe Barbuda, Sir Rodney Errey Lawrence Williams, Guvernator i Përgjithshëm dhe zonja e parë e Antigua dhe Barbuda. Atë e ka pritur në takim, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka shprehur mirënjohjen e thellë për njohjen që Antigua dhe Barbuda i…

Lajme

01/06/2025 18:50

Sot ka filluar vizitën zyrtare në Kosovë, Kreu i Shtetit të Antigua dhe Barbuda, Sir Rodney Errey Lawrence Williams, Guvernator i Përgjithshëm dhe zonja e parë e Antigua dhe Barbuda.

Atë e ka pritur në takim, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka shprehur mirënjohjen e thellë për njohjen që Antigua dhe Barbuda i ka bërë Republikës së Kosovës në vitin 2015, duke e cilësuar këtë akt si dëshmi të qëndrimit parimor të këtij shteti dhe kontribut të çmuar për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Presidenca e Kosovës, përmes një komunikate ka njoftuar se gjatë diskutimit, të dy palët ritheksuan përkushtimin për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, duke u bazuar në respekt të ndërsjellë dhe vlera të përbashkëta demokratike. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fusha si diplomacia ekonomike, teknologjia e informacionit, turizmi dhe bujqësia.

Ajo vuri në pah gatishmërinë e Kosovës për të lehtësuar kontaktet në mes komunitetit të biznesit për të eksploruar mundësitë për investime dhe shkëmbime tregtare.

Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për mbështetjen e Kosovës brenda komunitetit të shteteve të Karaibeve (CARICOM). Presidentja Osmani vlerësoi rolin e rëndësishëm të Antigua dhe Barbuda në rajon dhe ndikimin që zëri i saj mund të ketë në fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në kuadër të bashkëpunimit shumëpalësh, Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë e Kosovës për të qenë një partnere konstruktive në forume ndërkombëtare dhe për të koordinuar me Antigua dhe Barbuda në çështje prioritare të përbashkëta, përfshirë qëndrueshmërinë klimatike, transformimin digjital dhe paqen e sigurinë globale.

Sipas Presidentes Osmani ky takim është një hap i rëndësishëm drejt një partneriteti më të fuqishëm mes dy vendeve, ndaj theksoi përkushtimin për të vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin në të ardhmen, në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve.