Osmani shihet me Ukë Rugovën, hesht për “Presidentin”: Sot nderojmë Epopenë e UÇK-së

Presidentja Vjosa Osmani refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, ndërsa po dilte nga Kuvendi së bashku me deputetin e LDK-së, Ukë Rugova, djalin e presidentit historik, Ibrahim Rugova, pas seancës solemne për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “A do të nominoheni nga Kurti?”, dhe “a do të keni takim në orët e…

Lajme

05/03/2026 12:21

Presidentja Vjosa Osmani refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, ndërsa po dilte nga Kuvendi së bashku me deputetin e LDK-së, Ukë Rugova, djalin e presidentit historik, Ibrahim Rugova, pas seancës solemne për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“A do të nominoheni nga Kurti?”, dhe “a do të keni takim në orët e pasdites me z.Kurti?”, ishin disa nga pyetjet që iu bënë asaj.

“Është Epopeja e UÇK-së sot. Ju lus bashkërisht që ta respektojmë”, tha Osmani.

Lëvizja Vetëvendosje dje pasdite e hodhi poshtë zyrtarisht mundësinë që ta mbështesë Osmanin për presidente edhe për një mandat, të cilin ajo po e kërkon. Në vend të kësaj, partia e Kurtit vendosi që ta kandidojë Glauk Konjufcën për president.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha mbrëmë se i kishin ofruar Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme për të kandiduar, por se ajo kishte refuzuar.

Nga Presidenca thanë se Osmanit i ishte ofruar vetëm mundësia që “të hyjë në garë vec sa per formalitet”, por jo përkrahja me votë në Kuvend, e cila në këtë rast është zhvendosur te Konjufca.