Osmani: Protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thekson se protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë. Osmani ka shkruar në Facebook se në vitin 1997, studentët e Kosovës u ngritën jo vetëm për të drejtat e tyre, por për dinjitetin e një populli të tërë. “Ata kishin fuqinë e zërit, guximin e zemrës dhe besimin…

Lajme

01/10/2025 12:03

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thekson se protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë.

Osmani ka shkruar në Facebook se në vitin 1997, studentët e Kosovës u ngritën jo vetëm për të drejtat e tyre, por për dinjitetin e një populli të tërë.

“Ata kishin fuqinë e zërit, guximin e zemrës dhe besimin se e ardhmja nuk mund të ndërtohej mbi frikë, padrejtësi dhe terror. Në rrugët e Prishtinës, në auditoriumet e mbyllura, në sheshet e mbushura me thirrje e pankarta, u shkrua një kapitull i artë i rezistencës sonë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë, nga të cilat secili hap shndërrohej në akt heroizmi dhe secila thirrje për drejtësi bëhej kushtrim për liri e pavarësi.

“Sot, kur kujtojmë atë ditë të lavdishme, përulemi me respekt para atij brezi që guxoi të sfidojë padrejtësinë me forcën e paqes. Studentët e 97-tës na mësuan se liria nuk dhurohet, por fitohet, dhe e ardhmja nuk pritet, por ndërtohet”, ka shkruar Osmani.

28 vjet më pare ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat, të cilat u organizuan për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga ku studentët ishin dëbuar nga regjimi i kasapit Slobodan Millosheviq në fillim të viteve të 90-ta.