Osmani priti në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin McKee

Presidentja e vendit , Vjosa Osmani, priti në takim Ndihmës Administratoren në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it, ambasadoren Erin McKee, me rastin e shënimit të 25 vjetorit të partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet USAID-it dhe popullit të Kosovës. Në këtë takim  Osmani e ka përgëzuar USAID-in për miqësinë 25-vjeçare dhe mbështetjen e palëkundur për…

Lajme

21/11/2024 15:18

Presidentja e vendit , Vjosa Osmani, priti në takim Ndihmës Administratoren në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it, ambasadoren Erin McKee, me rastin e shënimit të 25 vjetorit të partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet USAID-it dhe popullit të Kosovës.

Në këtë takim  Osmani e ka përgëzuar USAID-in për miqësinë 25-vjeçare dhe mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Sipas Presidentes Osmani, misioni i USAID-it gjatë çerek shekullit të kaluar, ka qenë i rëndësishëm në fuqizimin e të rinjve, grave, investimin dhe ndërtimin e institucioneve që mbështesin drejtësinë, barazinë dhe mundësitë për të gjithë.

“Trashëgimia transformuese e USAID-it është e dukshme në çdo cep të Kosovës, nga forcimi i institucioneve deri te rritja e qëndrueshme ekonomike dhe avancimi i parimeve demokratike”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Tutje  Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të USAID-it, përfshirë investimin prej mbi 1 miliard dollarësh në fushat ndryshme për progresin e Kosovës.

Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së projekteve në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe projektet për fuqizimin ekonomik të grave, duke rikonfirmuar përkushtimin e Presidencës për t`i mbështetur këto projekte në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.