Osmani pret Nuncin Apostolik, kërkon njohje nga Selia e Shenjtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, Luigi Bianco, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në vendin tonë. Bëhet e ditur se Osmani e uroi Nuncin Bianco për detyrën e re dhe shprehu bindjen se vizita e tij do të…

Lajme

08/09/2025 17:37

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, Luigi Bianco, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në vendin tonë.

Bëhet e ditur se Osmani e uroi Nuncin Bianco për detyrën e re dhe shprehu bindjen se vizita e tij do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.

“Duke e vlerësuar hapjen e Misionit të Kosovës në Vatikan si një arritje të rëndësishme në kuadër të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, Presidentja shprehu besimin se njohja e pavarësisë së Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta me Vatikanin”, thuhet në komunikatë.

Ndër tjera, Osmani rikujtoi vizitën në Vatikan dhe takimin e veçantë me Papa Françeskun e ndjerë, duke e cilësuar bisedën me të si një moment të rëndësishëm në zhvillimin marrëdhënieve miqësore dhe respektit të ndërsjellë në mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Tutje, Presidentja ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që ta vijojë bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë nën udhëheqjen e Papa Leos, duke u angazhuar për paqen, dialogun ndërfetar, si dhe forcimin e vlerave universale të solidaritetit dhe humanizmit.