Osmani: Po hapet kapitull i ri për Kosovën – dinjitet, bashkim dhe e ardhme e fortë
Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin përmbyllës në tubimin e kësaj partie në Prishtinë, duke thënë se vendi po hyn në një kapitull të ri të historisë së tij, të bazuar në bashkim, dinjitet dhe besim. Osmani tha se fushata ka shërbyer si një rrugëtim në gjithë Kosovën,…
Lajme
Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin përmbyllës në tubimin e kësaj partie në Prishtinë, duke thënë se vendi po hyn në një kapitull të ri të historisë së tij, të bazuar në bashkim, dinjitet dhe besim.
Osmani tha se fushata ka shërbyer si një rrugëtim në gjithë Kosovën, ku janë dëgjuar shqetësimet e qytetarëve nga të gjitha komunat.
“Për të mbyllur këtë fushatë, por në të njëjtën kohë për të hapur një kapitull krejtësisht të ri të historisë sonë. Një kapitull të bashkimit, një kapitull të dinjitetit të rifituar. Një kapitull ku Kosova ecën përpara, e lirë, e bashkuar dhe sy-patrembur për të ardhmen e saj”, tha Osmani.
Ajo përmendi takimet me qytetarët në gjithë vendin, duke thënë se nga ato vizita është kuptuar qartë nevoja për ndryshim dhe shpresë.
“Kemi udhëtuar kudo në Kosovë këto ditë. Nga Prizreni deri në Mitrovicë, nga Peja deri në Gjilan, nga fshatrat e Drenicës deri në lagjet e Prishtinës. Kemi parë fytyrat e prindërve që zgjohen çdo mëngjes me frikën se fëmijët e tyre do të marrin rrugën e mërgimit. Kemi dëgjuar të rinjtë që ëndërrojnë një të ardhme këtu, në atdheun e tyre. Kemi dëgjuar gratë që punojnë ditë e natë dhe shpesh nuk u njihet merita e tyre”, u shpreh ajo.
Sipas saj, Kosova ka potencial të madh dhe qytetarët meritojnë më shumë sesa gjendja aktuale.
“Çdo takim kudo në Kosovë na ka treguar një gjë: Kosova meriton shumë më tepër sesa ajo që po e merr sot. Unë besimin e kam te ju, te forca, mençuria dhe vendosmëria e këtij populli”, tha Osmani.
Duke folur për kritikët e LDK-së, ajo tha se partia ka kaluar sfida, por nuk është thyer.
“Ka nga ata që menduan se na rrëzuan përgjithmonë, se kjo lëvizje u lodh, se kjo frymë u shua. Por ata nuk e kuptuan se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është ngritur mbi pushtet, por mbi besimin e njerëzve si ju. Prandaj nuk shuhet asnjëherë”, theksoi ajo.
Osmani shtoi se historia e Kosovës tregon se çdo herë kur janë nënvlerësuar, qytetarët kanë triumfuar.
“Sa herë që na kanë nënvlerësuar, ne kemi triumfuar. Sa herë që kanë menduar se nuk mundemi, kemi dëshmuar të kundërtën. Sa herë që kanë menduar se thyhemi, jemi ringritur më të fortë. Sa herë na kanë sulmuar, jemi bashkuar më fort. Dhe ja ku jemi sot, më të bashkuar, më të fortë dhe më të vendosur se kurrë më parë”, deklaroi Osmani në fund të fjalimit.