Osmani përkujton Bajram, Kastriot e Kushtrim Kelmendin: Drejtësia për Bajram Kelmendin dhe bijtë e tij nuk do të mbetet vetëm një premtim, por një betim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Bajram, Kastriot e Kushtrim Kelmendin. Osmani ka thënë se 26 vite më parë, Kosova humbi një luftëtar të palëkundur të drejtësisë, avokatin Bajram Kelmendi, dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. “Në orët më të errëta të historisë sonë, ata u rrëmbyen nga shtëpia e tyre nga regjimi…

Lajme

25/03/2025 10:45

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Bajram, Kastriot e Kushtrim Kelmendin.

Osmani ka thënë se 26 vite më parë, Kosova humbi një luftëtar të palëkundur të drejtësisë, avokatin Bajram Kelmendi, dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.

“Në orët më të errëta të historisë sonë, ata u rrëmbyen nga shtëpia e tyre nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit dhe u ekzekutuan mizorisht. Ky akt barbarie synonte ta dekurajonte luftën tonë për liri. Por, dhuna nuk arriti ta shuajë të vërtetën dhe krimet nuk e ndalën përpjekjen për drejtësi. Sot, ne nuk i kujtojmë vetëm si viktima të një regjimi kriminal, por si simbole të qëndresës, të idealeve për një Kosovë të lirë dhe demokratike”, thuhet në njoftim.

Teksa ka thënë se jeta dhe sakrifica e Bajram Kelmendit është testament i guximit, ndërsa vrasja e tij dhe e djemve është kujtesë e përhershme për borxhin tonë ndaj drejtësisë.

“Në këtë përvjetor, riafirmojmë përkushtimin tonë të palëkundur: drejtësia për Bajram Kelmendin dhe bijtë e tij nuk do të mbetet vetëm një premtim, por një betim. Brezat që vijnë do të mësojnë për ta jo vetëm si viktima të një mizorie, por si flamurtarë të pathyeshëm të një populli që nuk u dorëzua kurrë. Qoftë i përhershëm kujtimi për ta”, thuhet në njoftimin e presidencës. /Lajmi.net/