Osmani për vizitë shtetërore në Brunei, me ftesë nga Sulltani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të vizitojë shtetin e Bruneit, vizitë kjo e ftuar nga Madhëria e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah. Në njoftim thuhet se Osmani do të jetë e pritur me nderime shtetërore dhe do të ketë një sërë takimesh me krerët dhe zyrtarët e Bruneit. “Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr.Vjosa…

Lajme

04/05/2025 10:04

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të vizitojë shtetin e Bruneit, vizitë kjo e ftuar nga Madhëria e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah.

Në njoftim thuhet se Osmani do të jetë e pritur me nderime shtetërore dhe do të ketë një sërë takimesh me krerët dhe zyrtarët e Bruneit.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr.Vjosa Osmani-Sadriu dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, kanë udhëtuar për Brunei, të ftuar nga Madhëria e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, Sulltan i Bruneit, për vizitë shtetërore, duke shënuar vizitën e parë ndonjëherë të kreut të shtetit të Kosovës në këtë shtet të Azisë Juglindore. Gjatë vizitës shtetërore në Brunei Darussalam, Presidentja Osmani do të pritet me nderime të larta shtetërore dhe do të zhvillojë takime me Madhërinë e Tij, Sulltan Bolkiah, në rezidencën zyrtare Istana Nurul Iman”, thuhet ne njoftim.

Gjatë kësaj vizite shtetërore, Madhëria e tij Sulltani i Bruneit dhe bashkëshortja e tij, Madhëria e saj Raja Isteri Pengiran Anak Hajah Saleha, do të shtrojnë banket shtetëror në nder të vizitës së Presidentes dhe Zotërisë së Parë.

“Gjatë kësaj vizite, në Universitetin e Brunei Darussalam, Presidentja Osmani do të flasë para korit diplomatik, studentëve dhe stafit akademik. Në Brunei Darussalam, Presidentja Osmani do të takohet dhe me anëtarë të tjerë të familjes mbretërore dhe të kabinetit qeveritar, si dhe do të vizitojë edhe disa nga monumentet më të njohura kulturore të këtij shteti”, vijon njoftimi.