Osmani: Liberalizimi i vizave është vonuar për qytetarë e Kosovës dhe kjo e dëmton kredibilitetin e BE-së

11:33 | 29 Nentor 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidentin slloven, Barut Pahor.

Pas këtij takimi që të dy janë deklaruar para mediave.

Më këtë rast, presidentja Osmani deklaroi se është kënaqësi që me miqtë e Kosovës të bashkëbisedohet për zhvillime jo vetëm në Kosovë, pro edhe në rajon.

“Raportet me Slloveninë shumë miqësore datojnë që nga vitet e 90’ta, një pjesë e përpjekjeve për pavarësi janë zhvilluar pikërisht në Slloveni.Sllovenia ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për pavarësi, por edhe në fazën e pasluftës qoftë nëpërmjet forcave ushtarake por edhe me shumë kontribut me përkrahje politike e diplomatike.Jemi të interesuar të thellojmë këtë bashkëpunim në arsim, shëndetësi e në shumë tema të interesit dypalësh. Natyrisht se Kosova e ka rrugën e qartë e ajo është rruga e integrimit euroatlatnik, ne s’kemi shikuar rrugë tjetër përpos BE-së dhe NATO-s aty ku e kemi vendin dhe për çfarë qytetarët kanë shprehur interesin e qartë”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se liberalizimi i vizave është vonuar për qytetarë dhe kjo e dëmton kredibilitetin e BE-së dhe kjo duhet të ndodhë sa më parë dhe s’ka me hezitime.

“Dua të falënderoj Pahor për mbështetjen e plotfuqishme si dhe kërkoj përkrahjen edhe më tej që të binden edhe ato shtete që kanë hezitim.Kosova gjithnjë ka qenë pala konstruktive në dialog, por përshtypja jonë është se Serbia s’është e interesuar që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obliguar me Kosovën dhe në këtë proces për Kosovën sic është përmendur nga presidenti Biden, njohja reciproke është ajo që duhet të jetë në qendër.Fqinji jonë verior nuk e dëshiron një Balkan Perëndimor stabil dhe ne paqe prandaj po përdor retorika të ndryshme që destabilizojnë rajonin e për këtë besoj se BE-ja do të jetë e qartë në raport me Serbinë dhe do të kërkojë të ndërpresë retorikën nxitëse dhe atë të destabilizimit. Për fat të keq Serbia po vazhdon që përmes strukturave ilegale në veri të destabilizojë Kosovën dhe rritja e ndikimit rus paraqet kërcënim për destabilizim të rajonit, sepse kjo rritje e ndikimit rus asnjëherë s’ka pasur qëllim të mirë, por të luftojë sistemet e bazuara në vlera sic janë NATO dhe BE.Për të luftuar këto tendenca destabilizese kemi nevojë për miqtë tanë e atë të Sllovenisë”, shtoi Osmani, transmeton lajmi.net.

Presidentja e vendit tha se Pahor i cili ka qenë i angazhuar në politikë beson që e njeh shumë mirë rajonin tonë dhe faktin se çfarë ndodhë nëse nuk ndërhyhet me kohë për të ndalur tendencat destabilizuese.

“Ofrojmë gjithë bashkëpunimin tonë si një shtet paqedashës e që ka kontribuar në paqe e siguri në gjithë Ballkanin, e si Kosovë do të vazhdojmë të bëjmë këtë pasi është në interesin tonë që të ketë paqe e stabilitet afatgjatë”./Lajmi.net/