​Osmani: Jemi të zhgënjyer me trajtimin e Kosovës nga disa shtete anëtare të BE-së

Presidentja Vjosa Osmani ka kritikuar sot Bashkimin Evropën për qasje jo të duhur ndaj Kosovës, duke mos hequr sanksionet dhe duke mos u trajtuar seriozisht kërkesa e saj për aplikim për hyrje në familjen e madhe evropiane. Ajo pas arritjes në Bruksel për të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor ka theksuar se ka tendenca…

Lajme

18/12/2024 18:29

Presidentja Vjosa Osmani ka kritikuar sot Bashkimin Evropën për qasje jo të duhur ndaj Kosovës, duke mos hequr sanksionet dhe duke mos u trajtuar seriozisht kërkesa e saj për aplikim për hyrje në familjen e madhe evropiane.

Ajo pas arritjes në Bruksel për të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor ka theksuar se ka tendenca nga disa vende anëtare për të dobësuar Kosovën.

“Më duhet të them se jemi absolutisht të zhgënjyer me trajtimin që ka Kosova nga disa shtete anëtare të BE-së. Dhe nëse pyetemi pse, padyshim arsyeja kryesore është se nuk ka përparim në heqjen e masave ndaj Kosovës. Ato janë ende në vend. Dhe siç kemi parë konkluzionet se pritet të miratohen, nuk duket se ato do të hiqen këtë dhjetor. Unë besoj se këto masa janë të padrejta dhe janë gjithashtu joevropiane. Nuk ka asgjë evropiane, nuk ka asgjë të bazuar në vlera për të ndëshkuar një popull të tërë, qoftë edhe në projekte për ujin e pijshëm. Prandaj, unë jam këtu për të falënderuar dy të tretat e shteteve anëtare që kanë mbështetur fuqishëm heqjen e masave kundër Kosovës”, tha Osmani.

E para e vendit ka theksuar se Kosova ka përafruar politikat e saja me ato të Bashkimit Evropian, masat ndëshkuese duhet hequr dhe po ashtu Kosova duhet të merr statusin e vendit kandidat.

“Megjithatë, populli ynë mbetet i dënuar, pavarësisht se ne i kemi përmbushur të gjitha kushtet që kërkoheshin nga BE. Ndërsa nga ana tjetër, ka më shumë se dy vjet që ne kemi aplikuar për anëtarësim në BE, megjithatë aplikacioni ynë është diku në sirtarë, as që po shqyrtohet, dhe Këshilli nuk e ka mandatuar ende komisionin.

Nëse shikoni reformat që ka ndërmarrë Kosova në aspektin e reformave, në aspektin vlerash, ne jemi numër një në rajonin tonë, ndoshta edhe më larg përpara se disa vende anëtare të BE-së. Megjithatë, ne nuk e shohim vullnetin politik që është i nevojshëm për të na mbështetur në rrugën tonë evropiane…”, tha Osmani.

Ajo ka thënë se një gjë e tillë po ndodh shkaku i mungesës së vullnetit politik të disa shteteve të saja anëtare, teksa ka kritikuar hapjen e grupit tre me Serbinë ndonëse kjo e fundit po zhvillon politika agresioni ndaj Kosovës dhe nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ushtarak në Ukrainë.

“Ne flasim për aktet e vazhdueshme të agresionit që Serbia ka kryer ndaj Republikës së Kosovës, që është tërësisht kundër parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Ajo destabilizon fqinjët, prandaj është edhe kundër parimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, që kërkohet nga BE. Vetëm muajin e kaluar patëm një sulm në infrastrukturën tonë kritike nga bandat serbe që synonte të linte 70% të popullit të Kosovës pa ujë, pa energji, pa ngrohje në mesin e dimrit. Sigurisht që i ngjan sulmeve ruse në Ukrainë në mes të dimrit… Ndërsa në vende si Serbia ajo që ata bëjnë është të sulmojnë fqinjët e tyre dhe pastaj vijnë në Bruksel dhe flasin për integrimin evropian. Pra, të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë ndërkohë që ata po ndihmojnë dhe mbështesin Rusinë në luftën kundër Ukrainës nuk do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, tha Osmani.

Ndryshe, të pranishëm në samit nga Ballkani do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq, kryesuesja e Presidencës së BeH Zhelka Cvijanoviq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Në samit nga BE-ja janë shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, presidenti i Këshillit Evropian Antonia Costa, kreu i Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe ajo e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.