Osmani i kërkon ndihmë presidentit gjerman për t’i siguruar Kosovës njohje të reja

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dhënë detaje rreth takimit të sotëm me homologun gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Lajme

14/09/2021 23:23

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se raportet ndërmjet dy shteteve kanë qenë dhe do të mbeten përherë strategjike.

“Theksova nevojën e madhe për vazhdimin e kësaj mbështetje në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, sigurimin e njohjeve të reja, si dhe për liberalizim të vizave për qytetarët tanë”, shkruan Osmani.

Postimi i plotë:

Në një pritje të shkëlqyeshme dhe takim përmbajtësor me Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, z. Frank-Walter Steinmeier diskutuam për raportet ndërmjet dy vendeve tona, të cilat kanë qenë dhe do të mbeten përherë strategjike.

Në takim e falënderova Presidentin Steinmeier për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në ditë të mira dhe ato të vështira e në veçanti për mbështetjen drejt konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Theksova nevojën e madhe për vazhdimin e kësaj mbështetje në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, sigurimin e njohjeve të reja, si dhe për liberalizim të vizave për qytetarët tanë.

Diskutuam sot për tema të ndryshme e në fokus ishte po ashtu bashkëpunimi për rritjen e investimeve të huaja gjermane. Tutje, diskutuam edhe për angazhimin e Kosovës në fushën e bashkëpunimit rajonal, si dhe interesimin për nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme bilaterale me Gjermaninë.

Duke diskutuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, theksova se Procesi i Berlinit ka qenë shtysë e fuqishme në këtë drejtim.

Potencova se çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës.

Mirënjohëse pafund për fjalët inkurajuese dhe bisedën konstruktive e tejet premtuese!. /Lajmi.net/