Osmani i drejtohet Hotit, “njeri jorelevant”: Vetëm Serbia e akuzon Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar sërish lidhur me Marrëveshjen e Washingtonit, gjatë një konference për media ku është pyetur për deklaratat e ish-emisarit amerikan, Richard Grenell. Osmani tha se deklaratat e Grenellit janë keqinterpretuar dhe se ai nuk ka folur për zbatimin e marrëveshjes. “E kam pa çfarë ka thënë dhe në asnjë…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar sërish lidhur me Marrëveshjen e Washingtonit, gjatë një konference për media ku është pyetur për deklaratat e ish-emisarit amerikan, Richard Grenell. Osmani tha se deklaratat e Grenellit janë keqinterpretuar dhe se ai nuk ka folur për zbatimin e marrëveshjes.
“E kam pa çfarë ka thënë dhe në asnjë moment nuk ka folur rreth zbatimit të marrëveshjes, tjetër kush e ka thënë këtë, po i përzini njerëzit, disa në Kosovë e kanë thënë”, deklaroi ajo.
Presidentja shtoi se nuk ka qenë pjesë e procesit të negociatave për këtë marrëveshje, pasi në atë kohë nuk kishte asnjë funksion ekzekutiv. “Unë nuk kam qenë as presidente as kryeministre kur është negociuar kjo marrëveshje”, tha Osmani.
Në konferencë, ajo u pyet edhe për deklaratat e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, i cili pati thënë se Osmani e kishte “luftuar” në kohën e Marrëveshjes së Washingtonit. Presidentja reagoi ashpër ndaj kësaj deklarate, duke e quajtur Hotin “njeriun më jorelevant”.
“Hoti është njeriu më jorelevant, në të cilin nuk dua të humbë asnjë sekondë. Nëse doni ta bëni si pyetje tuajën se a është zbatuar marrëveshja a po jo, vetëm Serbia e akuzon Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve. A e keni lexuar marrëveshjen, cilën pjesë nuk e ka zbatuar Kosova?”, tha ajo.
Osmani theksoi se Kosova e ka zbatuar plotësisht obligimet që rrjedhin nga marrëveshja, përfshirë hapjen e ambasadës në Jerusalem dhe refuzimin për të nënshkruar marrëveshje ekonomike me Kinën apo me vendet që i cilësoi si “armiq të Amerikës”, raporton lajmi.net
“Kosova e ka hapur ambasadën në Jerusalem, Kosova nuk lejon të bëjë marrëveshje ekonomike as për 5G, as me Kinën, as me armiq të tjerë të Amerikës – këtë e kanë kërku, ne e kemi zbatuar. Serbia jo. Serbia ka qenë e detyruar deri në korrik 2021 ta hapë ambasadën në Jerusalem – a e ka bërë këtë? Jo. Serbia ka qenë e detyruar t’i mbyllë bizneset kineze – kurrë s’i ka mbyllë… Gjithçka që është kërkuar nga ne ka ndodhur”, deklaroi Osmani.
Ajo tha se si Presidente aktuale po punon ngushtë me administratën e ish-Presidentit amerikan, Donald Trump, për të forcuar bashkëpunimin strategjik me SHBA-në, sidomos në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.
“Unë jam presidente sot dhe punoj shumë afër me administratën e presidentit Trump në mënyrë që të arrijmë një bashkëpunim të thelluar e strategjik, në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë. Mirëpo ta kemi të qartë: akuzat ndaj Kosovës për moszbatim të marrëveshjeve vijnë nga Serbia. Njerëzit duhet të kujdesen shumë të mos shndërrohen në altoparlanta të Serbisë këtu me akuza të tilla”, përfundoi ajo./Lajmi.net/