Osmani: Drejtësia për viktimat e luftës, borxhi më i madh që Kosova ka si shtet dhe shoqëri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës është borxhi më i madh që ka Kosova si shtet dhe si shoqëri. Osmani u takua me drejtorin e Institutit për Krime të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi teksa tha se ky institucion mban gjallë kujtesën…

Lajme

13/11/2025 12:11

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës është borxhi më i madh që ka Kosova si shtet dhe si shoqëri.

Osmani u takua me drejtorin e Institutit për Krime të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi teksa tha se ky institucion mban gjallë kujtesën e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.

“Instituti nuk është vetëm arkiv – është ndërgjegjja e kombit tonë, dëshmia e sakrificës mbi të cilën u ngrit liria jonë. Prandaj, e vërteta e dokumentuar do të dëgjohet dhe do të jetojë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Postimi i plotë:

Kujtesa e një kombi që kërkon drejtësi

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është zemra e kujtesës sonë kombëtare — vendi ku ruhet e vërteta për periudhën më të rëndë të historisë sonë. Me mijëra dëshmi të mbledhura e dokumentuara, ky institucion mban gjallë kujtesën e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.

Në takimin me drejtorin Atdhe Hetemi dhe ekipin e tij të përkushtuar, theksova se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës është borxhi ynë më i madh si shtet dhe si shoqëri. Çdo jetë e humbur është kujtesë e dhimbshme se pa mbrojtur të vërtetën, pa drejtësi dhe pa kujtesë – nuk ka paqe të vërtetë.

Instituti nuk është vetëm arkiv – është ndërgjegjja e kombit tonë, dëshmia e sakrificës mbi të cilën u ngrit liria jonë. Prandaj, e vërteta e dokumentuar do të dëgjohet dhe do të jetojë.

Ftoj çdo qytetar, studiues, e çdo të ri të vendit të mbrojë dhe të ruajë këtë kujtesë. Sepse historia nuk harrohet – ajo tregohet e mbrohet, me dinjitet dhe me të vërtetën si themel.