OSHP i jep dritën e gjelbër projektit për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 të KEK-ut

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar se projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A do të vazhdoj pas vendimit të marrë nga OSHP.  Sipas KEK-ut, ky projekt është pezulluar përkohësisht për shkak të një ankese të paraqitur nga një operator ekonomik në OSHP. Më 10 korrik, OSHP, ka…

Lajme

14/07/2025 13:06

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar se projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A do të vazhdoj pas vendimit të marrë nga OSHP. 

Sipas KEK-ut, ky projekt është pezulluar përkohësisht për shkak të një ankese të paraqitur nga një operator ekonomik në OSHP. Më 10 korrik, OSHP, ka hedhur si të palejuar ankesën e operatorit.

“Korporata rithekson angazhimin e saj të palëkundur që i gjithë procesi të zhvillohet me transparencë të plotë, integritet dhe profesionalizëm, në përputhje me standardet më të larta të prokurimit publik dhe me dokumentacionin e përgatitur në bashkëpunim me ekspertët vendorë dhe konsulencën e USAID. Në këtë frymë transparence dhe përgjegjshmërie publike, KEK njofton se të enjten, më 17.07.2025, duke filluar nga ora 13:00, në sallën e takimeve në TC Kosova B, planifikohet të bëhet hapja zyrtare e aplikimeve të Operatorëve Ekonomikë, përmes platformës elektronike të e-prokurimit. Kjo ngjarje do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin social zyrtar të KEK Sh.A., në mënyrë që çdo qytetar dhe palë e interesuar të ketë qasje të drejtpërdrejtë në rrjedhën e procesit. KEK mbetet i vendosur që këtë projekt jetik ta çojë deri në fund, duke garantuar konkurrencë të ndershme, transparencë të mirëfilltë, zbatim të ligjit dhe përkushtim maksimal për të ardhmen energjetike të vendit”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.