OSHP i hapi rrugën të bëjë përzgjedhjen e kompanisë për menaxhimin e mbeturinave, Rama: Kjo është një fitore për të gjithë qytetarët

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim që Komuna e Prishtinës të vazhdojë me procedura të prokurimit për  menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Sipas vendimit të OSHP-së, Komuna e Prishtinës si Autoritet Kontraktues mund të bëjë përzgjedhjen e kompanisë për shërbimin e menaxhimit të mbeturinave duke përfunduar kështu sagën e problemit të mbeturinave. Për këtë…

Lajme

16/06/2025 18:00

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim që Komuna e Prishtinës të vazhdojë me procedura të prokurimit për  menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

Sipas vendimit të OSHP-së, Komuna e Prishtinës si Autoritet Kontraktues mund të bëjë përzgjedhjen e kompanisë për shërbimin e menaxhimit të mbeturinave duke përfunduar kështu sagën e problemit të mbeturinave.

Për këtë ka reaguar edhe i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili tha se tashmë e drejta është në anën e Komunës së Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës ka të drejtë të vazhdojë me procedurat për përzgjedhjen e kompanisë që do të menaxhojë mbeturinat në kryeqytet”, ka shkruar Rama,

Teksa tha se kjo është një fitore për interesin publik dhe për të gjithë qytetarët që meritojnë një qytet të pastër dhe një shërbim të mirëfilltë.

“Me këtë vendim, i jepet fund një bllokade të padrejtë që kishte për qëllim sabotimin e procesit të prokurimit, i zhvilluar me procedurë të hapur dhe në përputhje të plotë me ligjin.

Komuna do të vazhdojë me përkushtim për të garantuar një sistem të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të mbeturinave, duke vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi”, ka theksuar Rama në profilin e tij në Facebook. /Lajmi.net/