OSBE kërkon mbrojtje më të madhe për gazetarët në Kosovë

Rasti i kërcënimit të gazetarit, Visar Duriqi, ka alarmuar edhe OSBE-në. Shefi i misionit të kësaj organizate në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që tu ofrojnë gazetarëve më shumë siguri.

Lajme

04/09/2014 16:54

Gazetarit të protalit informativ, “Gazeta Express”, Visar Duriqit, i ka dalë në ndihmë edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë

Pas kërcënimeve të fundit ndaj Visar Duriqit, gazetar në portalin informativ Express të Prishtinës, Përfaqësuesja e OSBE-së për Liri të Mediave, Dunja Mijatoviq, i ka dënuar sot këto kërcënime, ndërsa Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që tu ofrojnë gazetarëve më shumë siguri.

“Kërcënimet që Duriqi ka pranuar janë shumë serioze. U bëj thirrje agjencive për zbatim të ligjit dhe gjyqësorit që në mënyrë të detajuar t’i hetojnë këto kërcënime dhe kërcënimet tjera ndaj gazetarëve në Kosovë, dhe të sigurojnë se ata që shkelin lirinë e shprehjes do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre,” tha Schlumberger.

Duriqi ka raportuar në Policinë e Kosovës se ka marrë një numër të kërcënimeve me vdekje pas publikimit të disa artikujve në të cilët ka zbardhur dhe kritikuar aktivitetet e grupeve radikale islame në Kosovë

Përfaqësuesja e OSBE-së për Liri të Mediave Mijatoviq tha: “Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë të lirë dhe të sigurt. Çdo kërcënim që i bëhet një pjesëtari të mediave duhet të hetohet me urgjencë të lartë. Frikësimet e gazetarëve janë shumë të shpeshta dhe janë të dëmshme për mediat e lira”, thuhet në një komunikatë të OSBE-së

OSBE promovon lirinë e mediave dhe punon me qeveritë për t’iu ndihmuar t’i mbajnë zotimet e tyre për liri të shprehjes.