Organizata “Fourth Wave” për rastin e Valdete Shabanit: Trepça është bërë një ndërmarrje që diskriminon, përjashton dhe dënon gratë
Organizata “Fourth Wave” ka reaguar pas rastit të zyrtares së ndërmarrjes Trepça, Valdete Shabani, shkruan Mitropol. Në reagimin e organizatës thuhet se rasti i Valdetes tregon që diskriminimi gjinor vazhdon të zë vend në ndërmarrjet tona publike. “Sot Trepça, dikur simboli i krenarisë dhe rezistencës kombëtare ndaj regjimit serb, është bërë një ndërmarrje që diskriminon,…

Lajme
Organizata “Fourth Wave” ka reaguar pas rastit të zyrtares së ndërmarrjes Trepça, Valdete Shabani, shkruan Mitropol.
Në reagimin e organizatës thuhet se rasti i Valdetes tregon që diskriminimi gjinor vazhdon të zë vend në ndërmarrjet tona publike.
“Sot Trepça, dikur simboli i krenarisë dhe rezistencës kombëtare ndaj regjimit serb, është bërë një ndërmarrje që diskriminon, përjashton dhe dënon gratë që guxojnë të kërkojnë të drejtat e tyre.
Një gjigand që përjashton gra, nuk është gjigand – është simbol i padrejtësisë dhe i diskriminimit.”, thuhet në reagim.
Poashtu kjo organizatë kanë shpalosur edhe një baner para ndërmarrjes.
Reagimi i plotë:
TREPÇA, NGA SIMBOL I REZISTENCËS NË DISKRIMINUES TË GRAVE NË VENDIN E PUNËS
Sot, përpara objektit të Ndërmarrjes “Trepça” në Mitrovicë, ne si Fourth Wave ngritëm zërin për Valdete Shabanin dhe për çdo grua që është përjashtuar, nënçmuar apo lënduar në vendin e punës. Përmes çarçafit me mbishkrim “Trepça gjigand (i diskriminimit). Një gjigand që përjashton gra, nuk është gjigand. Është frikacak. Kthejeni Valdeten në flotacion!”, kërkuam drejtësi dhe kushte të mira të punës për Valdeten dhe të gjitha gratë punëtore.
Valdete Shabani, dikur shefe e shërbimit logjistik dhe administrativ në Flotacionin në Stantërg, u zhvendos dy herë në pozita që jo vetëm nuk përputheshin me përgatitjen e saj profesionale, por rëndonin drejtpërdrejt në shëndetin e saj. Këto lëvizje u bënë pa konsultim dhe në kundërshtim me rekomandimet mjekësore, pas një ndërhyrjeje kirurgjike që ajo kishte pasur në këmbën e majtë. Aty gjatë përpjekjes për të bartur një pjesë metalike të rëndë në depo, ajo u lëndua rëndë dhe përfundoi në Spital. Ajo ishte detyruar të kryente detyra të papërshtatshme për gjendjen e saj shëndetësore – sepse ndërmarrja Trepça kishte zgjedhur të injorojë gjendjen e saj shëndetësore.
Fourth Wave ka kontaktuar kryeshefin e Trepçës si dhe drejtorin, Shyqyri Sadiku. Ky i fundit nuk ishte i gatshëm të na pres në zyre.
Rasti i Valdetes na tregon që diskriminimi gjinor vazhdon të zë vend në ndërmarrjet tona publike. Sot Trepça, dikur simboli i krenarisë dhe rezistencës kombëtare ndaj regjimit serb, është bërë një ndërmarrje që diskriminon, përjashton dhe dënon gratë që guxojnë të kërkojnë të drejtat e tyre.
Një gjigand që përjashton gra, nuk është gjigand – është simbol i padrejtësisë dhe i diskriminimit.