ORCA kërkon nga Komisioni për Arsim të diskutohet në Kuvend për shkarkimin e bordit të AKA-së

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, (ORCA) i është drejtuar me një letër sot Kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Ismail Kurteshit, duke i shprehur shqetësimin në lidhje me Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Lajme

05/10/2017 12:17

Në këtë letër të ORCA-së thuhet se kryeministri dhe Ministria e Arsimit kanë qenë të shurdhër përball kërkesës për ta sqaruar arsyen e shkarkimit të bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

ORCA i kërkon kryetarit Kurteshi që ta sjell me urgjencë në Kuvendin e Republikës diskutimin për çështjen në fjalë, nëse për asgjë tjetër, thjesht për ta zbatuar Nenin 7 të Ligjit për Arsimin e Lartë në Kosovë.

Kjo është komunikata e plotë e ORCA-së:

Po ju shkruaj me shqetësim për zhvillimet rreth Agjencisë së Kosovës për Akreditim ( AKA) dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC). Siç e dini, me kërkesë të kryeministrit të Republikës, ministri i MAShT ka shkarkuar bordin e AKA-s dhe KShC-në. ORCA me të marr vesh, ka kërkuar publikisht sqarime për këto vendime mirëpo kryeministria dhe ministria kanë qenë të shurdhra ndaj kërkesave tona.

Megjithatë ne presim që komisioni juaj të fillojë procedurat formale për raportim në kuvend nga ana e ministrit siç është paraparë në Nenin 7, pika 5 e Ligjit për Arsimin e Lartë që flet për Agjencinë e Kosovës për Akreditim e cila thotë “Nëse më shumë se një e treta e anëtarëve të bordit zëvendësohen për çfarëdo arsye brenda një viti, Ministria duhet ti raportojë këtë Kuvendit.”

Ky veprim i ministrit i nxitur nga kryeministri përveç pasojave në vend mund të sjellë edhe pasoja me karakter ndërkombëtar. Agjencia e Kosovës për Akreditim është një nga të paktat agjenci të rajonit e anëtarësuar në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Moszbatimi i ligjeve të vendit dhe rrezikimi i pavarësisë së agjencisë nga ndërhyrjet politike të pasqaruar dhe të paarsyetuara mund të nxisin suspendimin apo largimin e AKA-s nga ENQA. Kjo do të ishte një katastrofë për cilësinë e arsimit të lartë në vendin tonë që edhe ashtu është në gjendje të jashtëzakonshme.

I nderuar kryetar,

Ju lus që të ushtroni kompetencat tuaja dhe që me urgjencë ta sillni në Kuvendin e Republikës diskutimin për çështjen në fjalë, nëse për asgjë tjetër, thjesht për ta zbatuar Nenin 7 të Ligjit për Arsimin e Lartë në Kosovë.