Orban në zemër të Serbisë, mes miqve dhe aleatëve: Çfarë tregon vizita e tij në Guçë për raportet me Beogradin?

Ish-kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është shfaqur në një paraqitje jo të zakonshme në Serbi, ku mori pjesë në festivalin e trumbave në Guçë. Për vizitën e tij kanë raportuar disa media rajonale, të cilat kanë veçuar pamjet e Orbanit duke shijuar atmosferën e festivalit, duke pirë raki dhe duke pozuar me qytetarë, transmeton Danas.…

Lajme

10/08/2026 15:32

Ish-kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është shfaqur në një paraqitje jo të zakonshme në Serbi, ku mori pjesë në festivalin e trumbave në Guçë.

Për vizitën e tij kanë raportuar disa media rajonale, të cilat kanë veçuar pamjet e Orbanit duke shijuar atmosferën e festivalit, duke pirë raki dhe duke pozuar me qytetarë, transmeton Danas.

Sipas portalit sarajevas Klix, duke iu referuar raportimeve të mediave serbe dhe hungareze, Orban të shtunën në mbrëmje ka pirë raki në shoqërinë e muzikantit të njohur serb, Boban Markoviq, ndërsa ka provuar edhe ushqime tradicionale lokale.

Agjencia e lajmeve RINA ka publikuar pamje nga qëndrimi i tij në Guçë. Sipas raportimeve të transmetuara nga mediat kroate, Orban është parë në humor të mirë dhe pa një prani të dukshme të sigurimit, duke u shoqëruar me miq dhe duke pozuar me qytetarë që e kanë njohur.

Gazeta kroate “Jutarnji list” ka shkruar se pamjet e ish-kryeministrit hungarez tërhoqën vëmendje të madhe, veçanërisht ato ku ai shihet duke pirë shlivovicë dhe duke shijuar atmosferën e festivalit.

Orban është fotografuar edhe në shoqërinë e Oskar Vilagut, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të kompanisë energjetike MOL, si dhe Daniel Taraçkit, arkitektit dhe projektuesit kryesor të kompleksit Hatvanpuszta në Hungari.

Portali kroat “Index” shkruan se Vilagi është një biznesmen hungarez nga Sllovakia dhe një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Orbanit prej shumë vitesh. Ai është gjithashtu pronar i shumicës së klubit të futbollit DAC 1904 nga Dunajska Streda.

Në anën tjetër, Daniel Taraçki është arkitekti i lidhur me projektin Hatvanpuszta, një pasuri që lidhet me familjen e Orbanit dhe që prej vitesh është në qendër të debateve politike në Hungari.

Sipas “Index”, duke iu referuar portalit hungarez 444.hu, Taraçki ka përfituar edhe kontrata në disa projekte ndërtimore të financuara nga fondet publike.

Vizita e Orbanit në Guçë dhe pamjet nga festivali janë komentuar gjerësisht në mediat rajonale, për shkak të paraqitjes së tij joformale dhe shoqërisë në të cilën u shfaq gjatë qëndrimit në Serbi.