Orav me thirrje për qytetarët: Dilni votoni – Këto zgjedhje lokale janë një provë për demokracinë e Kosovës

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të diel, duke e cilësuar procesin si një provë të rëndësishme për demokracinë e vendit. “Çdo votë ka rëndësi dhe ka rol në forcimin e Kosovës si një vend demokratik, dinamik dhe multietnik,”…

Lajme

08/10/2025 13:16

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të diel, duke e cilësuar procesin si një provë të rëndësishme për demokracinë e vendit.

“Çdo votë ka rëndësi dhe ka rol në forcimin e Kosovës si një vend demokratik, dinamik dhe multietnik,” u shpreh ambasadori Orav, duke ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të marrin pjesë në votime, pavarësisht përkatësisë etnike apo bindjeve politike, transmeton lajmi.net.

Ai nënvizoi se është thelbësore që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. “Vullneti i votuesve duhet të respektohet dhe rezultatet të zbatohen,” theksoi ai, duke shtuar se suksesi i këtyre zgjedhjeve do t’i hapë Kosovës rrugë të reja drejt integrimeve dhe zhvillimit demokratik.

“Me zgjedhjet lokale që mbahen këtë të diel, u bëj thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote, pavarësisht përkatësisë etnike apo preferencës partiake, të dalin në votime dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Është thelbësore që procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, që vullneti i votuesve të respektohet dhe rezultatet të zbatohen. Këto zgjedhje lokale janë një provë për demokracinë e Kosovës. Kalimi me sukses i kësaj prove i hap Kosovës mundësi të reja.”, tha Orav.

Zgjedhjet lokale të së dielës konsiderohen një test i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike në vend dhe për besueshmërinë e proceseve zgjedhore në sytë e bashkësisë ndërkombëtare./lajmi.net/