Optimizëm pas marrëveshjes SHBA-Meksikë

Presidenti Trump është shprehur optimist se marrëveshja me Meksikën do të shërbejë për të vazhduar të pacënuar shkëmbimet tregtare mes dy vendeve dhe për të vënë nën kontroll dyndjen e imigrantëve përmes kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara.

Bota

09/06/2019 19:09

Në një numër komentesh sot në Twitter, Presidenti shkruan se marrëveshja mundëson bashkëpunim shumë të mirë me Meksikën, megjithëse ai nënvizon edhe kërcënimin e tarifave nëse gjërat nuk shkojnë si duhet.

Administrata Trump njoftoi të premten arritjen e një marrëveshjeje me Meksikën, të njohur si pakti “Qëndro në Meksikë”. Në bazë të marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara pezullojnë planet për tarifa mbi disa mallra që importojnë nga Meksika, ndërkohë që azil-kërkuesit nga Amerika Qendrore, të cilët përshkojnë Meksikën për të kërkuar strehim në Shtetet e Bashkuara, do të kthehen në Meksikë ku do të presin shqyrtimin e kërkesës së tyre.

Dje, Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador ishte në Tihuana për të festuar me mijëra meksikanë të mbledhur në këtë qytet kufitar. Ai tha se marrëveshja e arritur me Shtetet e Bashkuara do të ndihmojë për të mbrojtur të drejtat e njeriut për imigrantët dhe do të ruajë të pacënuara marrëdhëniet miqësore me Shtetet e Bashkuara. /VoA