Opozita: Lista serbe po imponon agjendën serbe në Kosovë
Partitë opozitare vlerësojnë se futja e Listës Serbe në koalicionin qeverisës do të bllokojë procese të rëndësishme për Kosovën, siç është edhe formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.
Lajme
Përveç kësaj përfaqësuesit opozitar vlerësojnë se me Listën Serbe brenda Qeverisë së Kosovës, po shtyhen përpara agjendat e Beogradit.
Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës për Kosovë Jakup Krasniqi ka thënë për Zëri, se çdo ndryshim kushtetues do të bëhet peng i Listës Serbe.
“Nuk është vetëm formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, por çdo ndryshim kushtetues mund të pengohet dhe Kosova në një formë po bëhet peng i Listës Serbe e cila sipas të gjitha gjasave të gjitha instruksionet i merr nga Beogradi. Duke qenë se instruksionet i marrin nga Beogradi, ata do të angazhohen për të bllokuar funksionimin e institucioneve të Kosovës”.
Ndërkaq, Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se me Listën Serbe brenda Qeverisë së Kosovës, dalë nga dalë po “shkatërrohet” subjektiviteti i Kosovës.
“Me ministra nga Lista Serbe, Qeveria e Serbisë është tashmë pjesë e Qeverisë së Kosovës. “Çdo gjë që koordinohet me këta ministra de facto koordinohet me Qeverinë e Serbisë. Kësisoj Serbia ngadalë, por sigurt po e shkatërron edhe atë pak subjektivitet formal të Kosovës”.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi thotë se veprimet e fundit të Qeverisë Mustafa tregojnë se ai po i “përgjigjet agjendës së Serbisë”.
“Qeveria e Kosovës edhe me veprimet e fundit ka treguar se po i përgjigjet agjendës së Serbisë dhe të tjerëve, e jo politikave racionale dhe institucionale të vendit. Kjo qeveri ka obligim ndaj qytetarëve të Kosovës e jo ndaj qarqeve të cilat në të kaluarën e kanë dëmtuar Kosovën dhe tentojnë që në vazhdimësi ta dëmtojnë atë”, ka thënë Isufi, shkruan sot Zëri.