OKB: Bota urgjentisht të heq dorë nga karburantet fosile

Organizata e Kombeve të Bashkuara rekomandon që bota të heqë dorë nga varësia prej karburanteve fosile, për arsye të rrezikut nga ndryshimet e mëdha klimatike, dhe të orientohet në burime përtëritëse të energjisë.

Lajme

13/04/2014 14:31

Në raportin e pritur me padurim, që u publikua në Berlin pas bisedimeve njëjavëshe të shkencëtarëve dhe të zyrtarëve të qeverive të shteteve të botës, thuhet që gazi natyror paraqet karburantin kryesor për kalim nga karburantet fosile (nafta dhe thëngjilli) në burime të pastra energjie, transmeton BBC.

Raportin e ka hartuar paneli ndërkombëtar për ndryshimet klimatike i KB (IPCC).

“Treni i shpejtë duhet të niset nga stacioni sa më parë, kurse në të duhet të hipë mbarë bota”, deklaroi kryesuesi i IPCC, Ragendra Pachauri, me rastin e paraqitjes së raportit në Berlin.

Rreth gjysma e të gjitha sasive të monoksidit të karbonit, që kanë emetuar njerëzit në atmosferë nga viti 1750, është emetuar në 40 vjetët e fundit, tregojnë rezultatet zyrtare.

Raporti i KB-ve ka treguar gjithashtu se në dekadën e parë të mileniumit të ri është rritur përdorimi i thëngjillit, dhe në këtë mënyrë është ndërprerë trendi afatgjatë i përdorimit të këtij emergjenti në botë.

Temperatura mesatare në sipërfaqen e Tokës deri në vitin 2100, po qe se nuk ndërmerren kurrfarë masash konkrete, do të ngrihet për 3.7 deri në 4.8 gradë Celsius në krahasim me nivelin para revolucionit industrial.