OEAK: Liberalizimi i tregut të energjisë kërcënon stabilitetin e bizneseve dhe punësimin
Pesë ditë para liberalizimit të paralajmëruar të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit shqetësimin e saj të thellë lidhur me rreziqet signifikante që ky tranzicion, në formën e tij aktuale, paraqet për aktivitetin ekonomik, punësimin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Kosovës. “Derisa në parim liberalizimi do të duhej të ishte…

Lajme
Pesë ditë para liberalizimit të paralajmëruar të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit shqetësimin e saj të thellë lidhur me rreziqet signifikante që ky tranzicion, në formën e tij aktuale, paraqet për aktivitetin ekonomik, punësimin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Kosovës.
“Derisa në parim liberalizimi do të duhej të ishte një objektiv i mirëpritur, suksesi i tij cenohet nga mungesa e kushteve reale të tregut. Në Kosovë, pavarësisht furnizuesve të shumtë të licencuar, vetëm njëri është plotësisht funksional, duke i lënë bizneset pa zgjedhje efikase si dhe duke i ekspozuar ato ndaj rritjeve të çmimit të energjisë elektrike prej mbi 200%. Rrjedhimisht, ky nuk është një treg konkurrues, por është një tranzicion i parakohshëm që imponon një shok të menjëhershëm financiar për bizneset që edhe ashtu përballen me presione më të gjera ekonomike”, thuhet në komunikatë.
Sipas OEAK, këto zhvillime rrezikojnë drejtpërdrejt mijëra vende pune, veçanërisht në industritë ku konsumi i energjisë është më i lartë, e të cilat formojnë shtyllën kurrizore të ekonomisë produktive të Kosovës.
“Varësia e plotë e Kosovës nga energjia elektrike, pa qasje në burime alternative të energjisë si gazi natyror, i bën të paqëndrueshme krahasimet me modelet e tjera rajonale të liberalizimit. Mjedisi energjetik i vendit, kërkon një qasje të kujdesshme në disa faza, e jo një liberalizim për të cilin është dhënë njoftim prej vetëm tre muajsh dhe pa mbështetje kalimtare”, thuhet në njoftim.
Oda Amerikane përsërit se mungesa e një Kuvendi funksional dëmton më tej llogaridhënien institucionale dhe ngre shqetësime serioze në lidhje me legjitimitetin e zbatimit të një ndryshimi kaq të madh e pa mbikëqyrje përkatëse.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje edhe një herë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të shtyjë afatin e një qershorit dhe të shfrytëzojë periudhën pasuese për sigurimin e kushteve të nevojshme rregullative, teknike dhe të tregut për një sektor energjie vërtet konkurrues. Pa këto aspekte, liberalizimi rrezikon të shkaktojë dëme afatgjata në ekonominë, klimën e biznesit dhe konkurrueshmërinë e Kosovës.