Oda Ekonomike e Kosovës: Akuzat dhe njollosjet e pabaza dëmtojnë imazhin e bizneseve vendore
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë thirrje për përmbajtje nga çdo veprim apo deklarim që mund të dëmtojë reputacionin e bizneseve vendore, duke theksuar se këto biznese kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të Kosovës. Në reagimin e saj, OEK ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës garanton prezumimin e pafajësisë për të…
Lajme
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë thirrje për përmbajtje nga çdo veprim apo deklarim që mund të dëmtojë reputacionin e bizneseve vendore, duke theksuar se këto biznese kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të Kosovës.
Në reagimin e saj, OEK ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës garanton prezumimin e pafajësisë për të gjithë individët, dhe se është përgjegjësi e organeve kompetente të gjyqësisë që të trajtojnë dhe të vendosin mbi çdo çështje ligjore.
“Çdo ndërhyrje apo gjykim publik nga individë të caktuar, për arsye personale apo interesa të tjera, është e papranueshme dhe dëmton imazhin e bizneseve,” thuhet në reagim.
OEK ka vënë në dukje rëndësinë e bizneseve vendore për sjelljen e investimeve ndërkombëtare dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë.
Akuzat dhe njollosjet e pabaza, sipas OEK-së, mund të ndikojnë negativisht në imazhin e Kosovës dhe të shkaktojnë largimin e investitorëve potencialë.
“Bizneset herë pas here përballen me sistemin e drejtësisë, por në çdo rast u njihet e drejta e prezumimit të pafajësisë dhe mundësia për të dëshmuar të drejtën e tyre në gjykatë. E njëjta duhet të respektohet edhe në Kosovë,” ka deklaruar OEK.
Në përfundim, Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që çështjet ligjore të trajtohen vetëm nga organet përkatëse të drejtësisë, duke u angazhuar për mbrojtjen e interesave të bizneseve dhe krijimin e një ambienti të drejtë dhe të favorshëm për aktivitetin ekonomik në vend.
OEK ka theksuar se mbështetja për bizneset është thelbësore për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe nxitjen e investimeve të reja.