Oda Ekonomike Amerikane i kundërpërgjigjet Qeverisë: Çdo hisedar tjetër joshtetëror duhet të avokojë fuqishëm në kërkim të llogaridhënies

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të Qeverisë së Kosovës ku thuhej se nuk është përgjegjësi dhe detyre e dhomava tregtare e ekonomike që të japin opionone ligjore apo të ndikojnënë procese gjyqësore. Ky reagim i Zyrës së Kryeministrit erdhi pasi Albin Kurti refuzoi sërish kërkesën e Prokurorisë Speciale për intervistim si…

Lajme

10/03/2025 11:24

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të Qeverisë së Kosovës ku thuhej se nuk është përgjegjësi dhe detyre e dhomava tregtare e ekonomike që të japin opionone ligjore apo të ndikojnënë procese gjyqësore.

Ky reagim i Zyrës së Kryeministrit erdhi pasi Albin Kurti refuzoi sërish kërkesën e Prokurorisë Speciale për intervistim si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, transmeton lajmi.net.

OEA ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratat e fundit të Qeverisë së Kosovës duke thënë se çdo odë ekonomike, organizatë e shoqërisë civile, media, e hisedar tjetër joshtetëror, ka për obligim dhe duhet të avokojë fuqishëm në kërkim të llogaridhënies dhe transparencës.

Ja reagimi i plotë:

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me deklarimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se odat ekonomike nuk duhet të komentojnë çështjet që kanë të bëjnë me promovimin e sundimit të ligjit dhe llogaridhënies në qeverisje, dhe se deklaratat e tilla janë të motivuara politikisht.

Si një organizatë që për më shumë se dy dekada ka avokuar për një mjedis më të favorshëm afarist në Kosovë, Oda Amerikane beson fuqishëm se keqpërdorimet e pretenduara në prokurimin publik minojnë konkurrencën e drejtë ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe çojnë në keqpërdorimin e mundshëm të fondeve publike, duke cenuar kështu besimin e tatimpaguesve.

Shqetësues është insistimi i pushtetit ekzekutiv që të diktojë diskursin e akterëve joshtetërorë, e bartësve të pushteteve të pavarura, përmes përpjekjeve për delegjitimim të qëndrimeve të tyre.
Kosova ka ndërmarrë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndërtuar themele të forta të demokracisë, dhe asnjë përpjekje nuk mund të cenojë suksesin e arritur.

Çdo odë ekonomike, organizatë e shoqërisë civile, media, e hisedar tjetër joshtetëror, ka për obligim dhe duhet të avokojë fuqishëm në kërkim të llogaridhënies dhe transparencës.

Është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë të lejohen të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje dhe që të gjithë të bashkëpunojnë me to, duke konfirmuar në këtë mënyrë rëndësinë e një sistemi të pavarur dhe funksional të drejtësisë, si themel i një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese.

Në këtë drejtim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rithekson se çdo individ, pavarësisht pozitës zyrtare, ka obligim kushtetues dhe ligjor për të dëshmuar në praktikë se Kosova është një shtet i së drejtës./Lajmi.net/