Oda Amerikane përsërit thirrjen për shtyrjen e afatit për liberalizimin e tregut të energjisë

Teksa afati për liberalizimin e tregut të energjisë po afrohet, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit qëndrimin e saj të mëparshëm se Kosova nuk është e përgatitur për një tranzicion të tillë. Në reagimin e OEAK thuhet se përtej mungesës së konkurrencës reale në treg, afati i shkurtër nuk u ka dhënë bizneseve as kohë…

Lajme

09/05/2025 13:18

Teksa afati për liberalizimin e tregut të energjisë po afrohet, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit qëndrimin e saj të mëparshëm se Kosova nuk është e përgatitur për një tranzicion të tillë.

Në reagimin e OEAK thuhet se përtej mungesës së konkurrencës reale në treg, afati i shkurtër nuk u ka dhënë bizneseve as kohë të mjaftueshme për përgatitje, as hapësirë për zbatimin e masave mbështetëse gjatë kësaj periudhe kalimtare, të cilat janë thelbësore për të shmangur goditjet financiare dhe rënien e konkurrueshmërisë.

“Shqetësimet e bizneseve janë rritur ndjeshëm pas ofertave të marra nga furnizuesit, të cilat parashikojnë rritje mbi 200% të tarifave të energjisë, një zhvillim që bie ndesh me pritjet se liberalizimi do të sillte ulje të çmimeve përmes konkurrencës. Kjo rritje e paparashikuar do të prekë zinxhirin e gjerë të bizneseve në vend, nga sektori prodhues dhe përpunues, deri te sektori i shërbimeve, tregtisë dhe teknologjisë, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë financiare dhe perspektivën e investimeve”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se argumentet se vendet e rajonit kanë zbatuar me sukses liberalizimin nuk janë valide në kontekstin e Kosovës.

“Vendet fqinje kanë qasje në burime alternative si gazi natyror, ndërkohë që në Kosovë, për shkak të vendimmarrjeve të gabuara në të kaluarën, projektet për ndërtimin e infrastrukturës së gazit janë braktisur, duke e lënë energjinë elektrike si burimin e vetëm për nevoja afariste dhe industriale”, thuhet në reagim.

Për më tepër, sipas OEAK moskonstituimi i Kuvendit përbën një arsye shtesë se pse Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk duhet të vazhdojë me planet për liberalizimin e tregut në këtë faze, duke pasur parasysh se ky institucion i pavarur është llogaridhënës para deputetëve të Republikës së Kosovës.

“Për një tranzicion të qëndrueshëm dhe të drejtë, Oda Ekonomike Amerikane u bën thirrje politikëbërësve të shtyjnë afatin përtej 1 qershorit 2025 dhe paralelisht të miratojnë legjislacionin e nevojshëm dytësor për të mundësuar investimet në teknologji të ruajtjes së energjisë (bateri) dhe në sisteme me efikasitet të lartë energjetik. Gjithashtu, kërkohet futja e një skeme nxitëse tatimore dhe doganore për teknologjitë e energjisë së ripërtëritshme dhe infrastrukturën mbështetëse. Pa këto masa, liberalizimi rrezikon të sjellë më shumë dëm sesa përfitim për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”, thuhet në njoftim.