Nxënësit shqiptarë në Kodrën e Minatorëve ende në shkollë kontejner
Shkolla e vetme në gjuhën shqipe në Mitrovicë të Veriut, edhe 26 vjet pas çlirimit vijon të funksionojë në kontejnerë, si pasojë e uzurpimit të objektit ekzistues. E vetmja shkollë në gjuhën shqipe në Mitrovicë të Veriut vijon funksionimin në kontejner. Aty nuk ka asnjë pllakë ose mbishkrim që do të tregonte emrin e këtij…

Lajme
Shkolla e vetme në gjuhën shqipe në Mitrovicë të Veriut, edhe 26 vjet pas çlirimit vijon të funksionojë në kontejnerë, si pasojë e uzurpimit të objektit ekzistues.
E vetmja shkollë në gjuhën shqipe në Mitrovicë të Veriut vijon funksionimin në kontejner.
Aty nuk ka asnjë pllakë ose mbishkrim që do të tregonte emrin e këtij institucioni të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët në lagjen Kodra e Minatorëve.
Si pasojë uzurpimit të objektit ekzistues të shkollës “Aziz Sylejmani” nga komuniteti serb – shumicë në këtë komunë – që e shndërroi atë në “Sveti Sava”, nxënës shqiptarë dhe të pakicave jo-serbe mësojnë në kushte të improvizuara.
Në fillim të vitit 2022, ministrja e Arsimit – tani në detyrë – Arbërie Nagavci, kishte premtuar vendim të shpejtë, kur ishte pyetur për kërkesën për kthimin në objektet ekzistuese shkollore ose ndërtimin e të rejave.
“Në lidhje me kërkesat e komunitetit, gjegjësisht prindërve dhe nxënësve, për zhvillimin e mësimit në shkollat në gjuhën shqipe, natyrisht se i kemi shqyrtuar me kujdes… Specifikisht, do të merret vendimi shumë shpejtë në lidhje me kërkesën”, ka deklaruar ajo.
Sidoqoftë, tre vjet e katër muaj pas kësaj deklarate, Ministria e Arsimit nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit për këtë çështje.
Përgjigje nuk dha kabineti e as vetë kryetar i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i cili është në pushtet që nga maji i vitit 2023 dhe mandati i të cilit skadon në vjeshtë.
Krahas konstatimit të gjendjes së rëndë në të cilën zhvillohet mësimi në Kodrën e Minatorëve, zëvendës-kryesuesi i Kuvendit Komunal, Skender Sadiku, tha se iniciativa që ai përfaqëson ka propozuar shfrytëzimit e përbashkët të objekteve ekzistuese nga të gjitha komunitetet.
“Këta fëmijë, duhet shkollim i dinjiteshëm, 26 vite pas luftës të jesh në kontejnerë është denigriuese, nënçmuese, poshtëruese…. Është e dhimbshme, jo vetëm që nuk është gjetur mënyrë të ndihmohet ajo shkollë, por edhe ideja që njëherë e përgjithmonë të kryhet kjo dhe të vijnë në objektin që kemi qenë gjeneratat e mëhershme, pra në shkollën “Aziz Sylejmani”, tash aktuale “Sveti Sava”, ka deklaruar Skender Sadiku, zv-kryesues i Kuvendit Komunal – Mitrovicë e Veriut.
Sidoqoftë, ai tha se nuk ka gjetur përkrahje në këtë propozim, e as tjetrin për mbështetje të shkollës që funksionon në kontejner.
“Çfarë rritje ose çfarë shkollimi bëjnë fëmijët të cilët janë të shkapërderdhur, 15-16 fëmijë në nëntë klasë?! Është tmerr. Kjo mbetet barrë Ministrisë së Arsimit, por për momentin mbetet edhe barrë e kryetarit të komunës. Mund ta imagjinoni ne si asamble kemi votua një ndihmë simbolike monetare, por është ndërprerë, nuk janë dërguar nga ekzekutivi. Ata i kanë arsyet e tyre”, ka theksuar Sadiku për RTV Dukagjini.
Ndërkohë që s’ka zgjidhje për objektin, mësimdhënësit në shkollën kontejnerë në veri vazhdojnë të paguhen nga Mitrovica e Jugut.
Përveç rreth 15 nxënësve në paralelen në Kodrën e Minatorëve, si pasojë e uzurpimit të objektit dy paralelet tjera të shkollës “Aziz Sylejmani”, me dhjetëra nxënës nga veriu funksionojnë në Suhodoll dhe në jug.
Ndërkaq, nxënësit e shkollës “Nonda Bulka”, po ashtu pa objekt në veri, mësojnë në shkollën “Eqrem Çabej” në jug.
Në raportin e investimeve kapitale për vitin 2025, në Komunën e Mitrovicës së Veriut, të buxhetuara figurojnë rreth 400 mijë euro për gjithsej katër projekte për investime në shkolla – të gjitha në gjuhën serbe.