Nxënësit e Prishtinës paralajmërojnë pjesëmarrje në protestën e shtunës

Këshilli i Nxënësve të Prishtinës ka marrë vendim që si organ përfaqësues i rreth 20, 000 nxënësve të kryeqytetit, të shqetësuar me zhvillimet e fundit, t’i bashkohen protestës së ditës së shtunë.

Lajme

21/01/2015 15:10

Ky këshill përmend edhe mosveprimin e qeverisë për siç thotë “kundër ministrave shovinistë, si dhe mosveprimi i saj në mbrojtje të Trepçës”.

Lexoni më poshtë vendimet e këtij këshilli.

Këshilli i Nxënësve të Prishtinës, më 21 janar 2015, mori vendimin e mëposhtëm:

1. Ne Këshilli i Nxënësve të Prishtinës, si organ përfaqësues i rreth 20,000 nxënësve të kryeqytetit, jemi shumë të shqetësuar me zhvillimet e fundit në vendin tonë.

2. Deklaratat fashiste të Jabllanoviqit, si dhe tendencat e Serbisë për ta prekur Trepçën, na bëjnë të ndjehemi mjaft të brengosur për të ardhmen e vendit.

3. Mosveprimi i Qeverisë kundër ministrave shovinistë si dhe mosveprimi i saj në mbrojtje të Trepçës, na bën të dyshojmë seriozisht në qëllimet dhe legjitimitetin e kësaj qeverie.

4. Prandaj, ne si rini e Prishtinës, do të bashkohemi në mënyrë masive me protestën e së shtunës në Prishtinë, ndërsa të premten, në shenjë mobilizimi dhe proteste, do ta bojkotojmë orën e dytë të mësimit dhe do të protestojmë nëpër oborret e të gjitha shkollave të mesme të Prishtinës.

5. Ne u bëjmë thirrje mësimdhënësve tanë, prindërve tanë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen protestës, të shtunën në orën 14:00, dhe në këtë mënyrë të angazhohen për një Kosovë ku rinia ka të ardhme të sigurt dhe nuk ëndërron për ta braktisur vendin.