Nxënësit e Pozheranit mbajnë orët vetëm nga 25 minuta, MASHT-i e Komuna e Vitisë ia hedhin fajin njëri-tjetrit pse nuk u përurua shkolla

Pas gjashtë vitesh pritje dhe improvizimi të mësimit në shkollë tjetër, nxënësit e shkollës “Halil Alidema” në Pozheran të Vitisë vazhdojnë të përballen me mungesën e një objekti shkollor. Dy ditë më parë, ata iu gëzuan paralajmërimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për inaugurimin e kësaj shkolle, por ndonëse i ftuan mediet,…

Lajme

09/01/2025 15:20

Pas gjashtë vitesh pritje dhe improvizimi të mësimit në shkollë tjetër, nxënësit e shkollës “Halil Alidema” në Pozheran të Vitisë vazhdojnë të përballen me mungesën e një objekti shkollor.

Dy ditë më parë, ata iu gëzuan paralajmërimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për inaugurimin e kësaj shkolle, por ndonëse i ftuan mediet, udhëheqësit komunal e qytetarët e Pozheranit vetëm një orë para se inaugurimi do të duhej të fillonte, ai u anulua.

Lajmi.net dje menjëherë ka kontaktuar me nënkryetarin e Komunës së Vitisë, Hasan Aliun i cili ka thënë se anulimi i përurimit të kësaj shkollë gjithashtu edhe i çerdhes në fshatin Dobresh të Vitisë ka ndodhur pasi që punimet në këto dy objekte ende nuk kanë përfunduar.

Siç tha Aliu, ministrja Nagavci nuk ka pasur informacione të plota në lidhje me zhvillimin e punimeve në dy objektet të cilat po i financonte vetë MASHT-i, shkruan lajmi.net.

“Nuk kish pas informacione të plota ministrja sot e ka thirr drejtpërdrejtë kryetarin. Shkresa prej Ministrisë për përurim na ka ardh me të 6tin në ora 15:37 minuta, ne dje kemi dal në shkollën e Pozhoranit e kemi vizitu edhe çerdhen dhe iu kemi drejtu me shkresë diku në ora 16:00 ministres dhe ajo sot në mëngjes e ka lexu shkresën e ka marrë informacionet e plota, e ka thirr kryetarin e Komunës dhe janë dakorduar që për një javë apo 10 ditë ajo të përurohet por varet nga punëkryesit kur i përfundojnë punët do të përurohen dyja”, ka thënë Aliu.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Arsimit të cilët kanë thënë se në këtë shkollë nuk ka përfunduar pranimi teknik, e që sipas tyre tani nuk realizohet nga investitori por nga Komuna të cilës i takon objekti.

Ndonëse nënkryetari i Komunës së Vitisë ka thënë se as çerdhja e as shkolla nuk janë gati, nga MASHT-i kanë thënë se çerdhja ka përfunduar dhe se ajo mund të inaugurohet menjëherë.

“Sipas Ligjit të ri të prokurimit, pranim teknik klasik nuk ka më nga ana e ivestitorit. Këtë e bënë Komuna. Investitori i kësaj çerdheje(në këtë rast MASHTI) i dorëzon Komunës ose DKA-së së komunës përkatëse, certifikimin e përfundimit të punimeve me ç’rast përfundojnë obligimet e investitorit. Pikërisht kjo ka ndodhur në Drobesh dhe ajo çerdhe mund të inaugurohet nga dita e sotme. Ndërsa, sa i përket shkollës në Pozharan, investitor ka qenë MPBAP dhe ne si MASHTI kemi pasur informacione qe çdo gjë është gati. Në koordinim me kryetarin e Komunës është vendosur që të anulohen inaugurimet deri në një njoftim të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it për lajmi.net

MASHT-i gjithashtu ka njoftuar se tash e 6 vite nxënësit e kësaj shkolle kanë mësuar me orar të shkurtuar, e sipas tyre është shumë e rëndësishme që ky objekt po përfundohet dhe nxënësit nuk do të mbajnë më orën 25 minuta siç ka ndodhur tash e disa vite.

Arsim Ademi, zëvendësministër i Ministrisë së Arsimit nuk është “pajtuar” me institucionin ku punon pasi sipas tij anulimi i përurimit të kësaj shkollë është bërë për qëllime politike e urdhëruar nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Siç njofton Ademi, punimet në këtë shkollë kanë filluar që nga viti 2016 dhe parashikoheshin të përfundonin në vitin 2019 por edhe sot në vitin 2025 ato nuk kanë përfunduar, shkruan lajmi.net.

Ademi tregon edhe se që nga tërmeti i vitit 2019 nxënësit janë bartur në objektin e Shkollës së Mesme “Kongresi i Manastirit” dhe ora aty mbahej vetëm 25 minuta, 20 minuta më pak se në shkollat e tjera të vendit.

Ai ka shkruar në Facebook, se dje kjo shkollë ishte e gatshme të përurohej, drejtoria e shkollës ishte përgatitur dhe kishte njoftuar mësimdhënësit që nxënësit e kësaj shkolle do të fillojnë gjysmëvjetorin e dytë në shkollën e re, por sipas tij kryetari Haliti i’ua ndaloi “gëzimin”.

“Kjo festë u prish sot nga kryetari i Komunës. Me të marrë njoftimin nga ne, ai në vend se të fillonte përgatitjet për ceremoninë e përurimit, kishte mbledhur një grup politik dhe kishte marr vendim që mësimi të vazhdonte në shkollën e vjetër ashtu si më parë, dhe që të bojkotohej përurimi i shkollës. Sigurisht që ky është një vendim politik, për qëllime të fushatës elektorale, dhe i pabazuar në gjendjen reale të objektit të ri të shkollës.  Jemi të sigurt se, nëse nuk do të paralajmërohej përurimi, sot nxënësit pozheranas do të fillonin mësimin në shkollën e re. Por dëshira e sëmurë e kryetarit Haliti për protagonizëm i la edhe këtë javë nxënësit në shkollën e vjetër”, ka shkruar Ademi në Facebook.

Ai ka shkruar pastaj edhe për çerdhen në fshatin Dobresh të Vitisë të cilën sipas tij, kryetari Haliti e kishte cilësuar projekt të Komunës por siç shkruan Ademi ajo është investim i MASHT-it.

Nëse shkolla ka përfunduar apo jo, nuk dihet ende pasi që të gjithë kanë dhënë përgjigje të ndryshme nga njëri tjetri bilës edhe zëvendësministri i Arsimit e Ministria e Arsimit, por që nxënësit po vazhdojnë të mbajnë orë vetëm 25 minuta është problem serioz i cili i lë të mangët këta nxënës.

Lëvizja Vetëvendosje para se të merrte pushtetin ishte zotuar që do të ndërtonte 160 çerdhe, e si duket tani në fund të mandatit e kanë kuptuar që as nuk i janë “afruar” këtij numri prandaj edhe dëshira për të rritur numrin e çerdheve të përfunduara nga ta po i ngut t’i inaugurojnë para përfundimit e testimeve. /Lajmi.net/