Numër i vogël i inspektorëve – Ministria e Arsimit paralajmëron kontrolle në institucionet parashkollore private dhe publiko-private

Edhe pse do të duhej që t’u bëhej zgjidhje e kopshtet të ishin sa më tepër publike- në Kosovë shumë prej prindërve fëmijët duhet t’i dërgojnë në kopshte private. Por jo vetëm kaq. Nga Ministria e Arsimit del se problem kanë edhe me inspektorët – me numrin e vogël të tyre. Sikurse në shumë institucione…

Lajme

13/07/2025 22:00

Edhe pse do të duhej që t’u bëhej zgjidhje e kopshtet të ishin sa më tepër publike- në Kosovë shumë prej prindërve fëmijët duhet t’i dërgojnë në kopshte private.

Por jo vetëm kaq.

Nga Ministria e Arsimit del se problem kanë edhe me inspektorët – me numrin e vogël të tyre.

Sikurse në shumë institucione të tjera të cilat parashihet të inspektohen më shpesh, edhe në kopshte inspektimet janë të rralla.

Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka pyetur Ministrinë e Arsimit se sa është numri i inspektorëve të arsimit tani për tani.

E sipas Ministrisë, numri aktual është 46.

Nga Ministria kanë bërë të ditur edhe një herë se inspektorët kanë të drejtë të realizojnë inspektime në institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme, përfshirë ato institucione publike dhe private.

“Aktualisht, numri i përgjithshëm i inspektorëve të arsimit është 46. Të gjithë inspektorët kanë të drejtë të realizojnë inspektime në institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme, përfshirë institucionet parashkollore publike dhe private”.

E sipas ministrisë, përpos inspektimeve të rregullta- realizohen edhe inspektime varësisht nga kërkesat të cilat adresohen, por që problem del të jetë numri i kufizuar i inspektorëve.

“Sa po kryhen inspektime të mjaftueshme nëpër kopshtet private, por edhe ato publiko-private? Inspektorati i Arsimit, në bazë të planit vjetor të punës, realizon inspektime edhe në institucionet parashkollore, përfshirë ato private dhe publiko-private. Përveç inspektimeve të planifikuara, realizohen edhe inspektime tematike, në varësi të çështjeve që adresohen. Megjithatë, për shkak të numrit të kufizuar të inspektorëve, vlerësojmë se inspektimet në këto institucione nuk janë gjithmonë të mjaftueshme”.

E nga këto kontrolle shihen edhe kushtet që duhet plotësuar të gjitha institucionet parashkollore, por sipas ministrisë nëse ndonjë prej institucioneve ka shkelur kushtet e licencimit, dërgohet rekomandim tek Komisioni për rishqyrtim të licencës.

“Kushtet që duhet të plotësojnë institucionet parashkollore kontrollohen nga Komisioni për licencim dhe rilicencim, gjatë procesit të licencimit apo rilicencimit të tyre. Në rastet kur Inspektorati i Arsimit gjatë një inspektimi konstaton se ndonjë institucion ka devijuar nga kushtet e licencimit, i dërgon rekomandim Komisionit për rishqyrtimin e licencës”,thuhet tutje.

E në kuadër të inspektimeve theksohet se “Inspektorati i Arsimit kryen inspektime të rregullta në institucionet parashkollore private, me fokus në përputhshmërinë e veprimtarisë së tyre me legjislacionin në fuqi. Gjatë këtyre inspektimeve verifikohet: posedimi i licencës nga MASHTI, regjistrimi i fëmijëve sipas grupmoshave, raportimi i fëmijëve në SMIA, dokumentacioni pedagogjik, kualifikimi i edukatoreve, dhe aspekte të tjera relevante. Në varësi të konstatimimit të gjendjes faktike, Inspektorati jep rekomandimet përkatëse ose ndërmerr procedurat e nevojshme ligjore”.

E shumë qytetarë të vendit, të cilët kanë fëmijët nëpër institucione parashkollore private apo publiko-private në shumë raste kanë edhe raportime nga më të ndryshme.

Falë këtyre raportimeve edhe kushtet nëpër këto kopshte janë më të avancuara dhe kësisoj kërkesat e prindërve shpesh herë kanë shkuar aty ku duhet – tek Ministria e Arsimit që më pas ka monitoruar ato. /Lajmi.net/