​Numër i madh i të papunëve, qeveria kritikohet për politika jo të mira

Reflektim e politika më të mira po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës njohës të ekonomisë në vend. Kritikat janë shtuar pas publikimit të raportit të fundit nga Banka Botërore i cili nxori se vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar. Derisa Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh…

Lajme

27/10/2024 11:00

Reflektim e politika më të mira po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës njohës të ekonomisë në vend. Kritikat janë shtuar pas publikimit të raportit të fundit nga Banka Botërore i cili nxori se vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.

Derisa Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunësisë në rajon, njohësit e ekonomisë thonë se “nuk ka vend për mburrje sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë stimuj konkret për të rinjtë që të fillojnë një biznes në Kosovë.

“Gjithmonë faji mbetet i hartimit jo të mirë të politikave, se nëse bën hartime të mira të politikave dhe bëhet një ambient i mirë për investime, atëherë rritet edhe siguria juridike edhe për të rinjtë, por edhe për kompanitë ekzistuese që të zgjerojnë biznesin e tyre. Në anën tjetër, gjithmonë kemi kërkuar që të ketë stimuj konkret për të rinjtë që ta fillojnë një biznes në Kosovë, dhe të mos e shohin si mundësinë e parë, ose edhe të vetme, largimin prej Kosovës”, thotë Rafuna.

Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se kjo çështje duhet të merret me seriozitet nga ana e institucioneve përgjegjëse.

“Pjesëmarrja e fuqisë punëtore realisht vijon të shënojë rënie dhe kjo besoj se ka të bëjë me njerëzit që paraqiten pranë qendrave të punësimit, regjistrohen për të ardhur në rend, për të siguruar një vend pune përmes këtyre qendrave të punësimit. Është fatkeqësi që megjithatë përgjatë viteve këto qendra të punësimit nuk kanë arritur të dëshmohen si trupa serioze të cilat mund të bëjnë lidhje ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve, dhe vijmë në një situatë të tillë. Megjithatë, norma si e tillë e vë Kosovën krejt në fund sa i përket pjesëmarrjes së fuqisë punëtore në tregun e punës dhe është diçka që duhet të merret më me seriozitet nga ana e institucioneve përgjegjëse përgjatë viteve të ardhshme. Asnjë mburrje këtu për sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës nuk duhet të dominojë për aq kohë sa ne kemi normën më të ulët të pjesëmarrjes së fuqisë punëtore”, thotë Zeka.

Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë se raporti i Bankës Botërore duhet të jetë një shqetësim për qeverinë.

“Raporti i Bankës Botërore është një fakt i cili vetëm duhet të merret të analizohet dhe reflektohet nga ana e qeverisë…Nga ana e punësimit për fat jo të mirë sipas Bankës Botërore, Kosova është më së keqi në nivel rajonal, për faktin se 37 për qind e fuqisë punëtore aktive është e punësuar. Kjo duhet të jetë një shqetësim për qeverinë dhe duhet të reflektojë”, thotë Kadriaj.

Në raportin e fundit, Banka Botërore vlerëson se shumica e ekonomive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përjetuan rritje të moderuar ekonomike gjatë vitit 2024, ndonëse paralajmëron se parashikimi për të ardhmen mbetet i pasigurt.

Parashihet që Kosova të ketë normën e rritjes ekonomike prej 3.8 për qind. Ndërkaq për vitin 2025, Kosova parashihet të ketë rritje 3.9 për qind.

Isolina Rossi, ekonomiste në Bankën Botërore dhe autore kryesore e raportit tha se “pavarësisht perspektivës pozitive, rajoni vijon të mbetet i ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, si rritja e ngadaltë ekonomike në nivel global, kthimi i inflacionit sërish në nivele të larta, pasiguritë politike dhe ngjarjet ekstreme të motit”.