Numër i lartë i fëmijëve lëmoshë-kërkues në Kosovë, policia: 77 fëmijë janë identifikuar në tremujorin e parë të 2022-ës
Fëmijët në situatë rruge të cilët kërkojnë lëmoshë vazhdojnë te jenë sfidë për institucionet e Kosovës. Lajmi.net nëpërmjet episodit të radhës të dokumentarit “PASOJË” ka trajtuar këtë fenomen nga aspekte të ndryshme institucionale, sociale, të sigurisë e të trajtimit të këtij fenomeni.
Lajme
Derisa në qytetet e mëdha të Kosovë fëmijë të tillë, në raste të përcjellur edhe nga të rritur, shihen në çdo rrugë e në çdo kohë, në nivel vendi nuk ka një numër të saktë të tyre, për vitet e fundit, shkruan lajmi.net.
Institucionet kompetente, kryesisht qendrat për punë sociale nëpër qytete të ndryshme të vendit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, vazhdojnë të kryejnë punë në terren për largimin e këtyre fëmijëve dhe të rriturve nga fenomeni i kërkimit të lëmoshës.
“Çështja e lëmoshkërkuesve edhe pse nuk bie direkt vetëm në fushëveprim të PK-së, ju informojmë se Policia e Kosovës në vazhdimësi ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, mirëpo edhe përkundër faktit se janë ndërmarr veprime të nevojshme në largimin e këtyre personave nga rruga, problemi i kërkim lëmoshës ende është prezent por edhe kompleks. Policia e Kosovës në vazhdimësi e ka trajtuar këtë dukuri në bashkëpunim me akter tjerë institucional duke ndërmarrë veprime ligjore me qëllim të parandalimit apo të reduktimit të kësaj dukurie. Si rezultat i veprimeve policore në trajtimin e këtyre rasteve në tre mujorin e parë të vitit 2022 janë identifikuar 77 fëmijë kërkues lëmoshë, ku pas identifikimit sipas detyrës zyrtare ftohen zyrtarët e QPS-s dhe ata i trajtojnë me tutje.”, thonë nga policia e Kosovës.
Derisa vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2022, Policia e Kosovës ka arritur të identifikojë 77 fëmijë lëmoshë-kërkues, qendrat për punë sociale gjatë një viti identifikojnë qindra raste, me të cilat merren direkt në ofrimin e shërbimeve të tyre.
Prishtina, Ferizaj dhe Prizreni konsiderohen qytetet që më së shumti frekuentohen nga këta fëmijë, por që pak prej tyre janë banorë të qyteteve përkatëse. /Lajmi.net/