Nuk tërhiqet Abdixhiku: Pas 15 tentimeve të dështuara, zgjidhja qëndron në një Qeveri Nacionale të Tranzicionit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar në prag të mbajtjes së seancës së 15-të të Kuvendit për zgjedhjen e institucioneve të reja, duke e quajtur situatën parlamentare “një krizë të përsëritur pa asnjë rezultat”. Përmes një deklarate publike, Abdixhiku tha se vendi po përjeton një paralizë të plotë institucionale, ku…

Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar në prag të mbajtjes së seancës së 15-të të Kuvendit për zgjedhjen e institucioneve të reja, duke e quajtur situatën parlamentare “një krizë të përsëritur pa asnjë rezultat”.
Përmes një deklarate publike, Abdixhiku tha se vendi po përjeton një paralizë të plotë institucionale, ku përveç mungesës së shumicës në Kuvend, qytetarët po përballen edhe me krizë ekonomike dhe sociale. Ai kritikoi ashpër bllokadën aktuale, duke theksuar se “në horizont nuk duket fundi i kësaj praktike pa rezultat”.
“Çmimet e larta bërtasin, pagat janë të pamjaftueshme, faturat e energjisë rriten, ndërsa projektet madhore nuk ecin më. Ndërkohë, disa aktorë politikë gjejnë komfortin në shfaqje 48-orëshe pa asnjë rezultat,” deklaroi Abdixhiku.
Ai përsëriti propozimin e bërë nga LDK një javë më parë për krijimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit, me mandat të kufizuar dhe me agjendë të përbashkët deri në zgjedhjen e Presidentit. Kjo qeveri, sipas tij, nuk synon pushtet, por daljen nga kriza aktuale dhe adresimin e menjëhershëm të problemeve të qytetarëve.
“Jo për ta ndarë shtetin mes partive, por për ta mbrojtur atë nga paraliza institucionale,” theksoi ai.
Kreu i LDK-së u shpreh i gatshëm për të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja e vendit, por theksoi se “çdo takim duhet të paraprihet me ide të reja”. Sipas tij, vazhdimi me qasjet e deritashme përbën vetëm vazhdim të bllokadës.
“LDK-ja mirëpret secilën mundësi për dalje nga kjo gjendje, por insistimi në dëshira të njëjta partiake pa shumicë reale është recetë për dështim. Kosova ka më shumë nevojë për institucione funksionale se sa për kalkulime politike.”
Abdixhiku konfirmoi se këtë propozim për Qeveri Tranzitore do ta prezantojnë edhe në takimin me Presidenten, si një alternativë e vetme konkrete në funksion të zhbllokimit të situatës.