“Nuk mendoj se jemi në atë fazë” – Izmaku flet nëse do ta votojnë Albulena Haxhiun, thotë se Limaj do të përfaqësonte mirë këtë pozitë

Deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku ka folur sot para se të filloj seanca e 19-të e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ajo është deklaruar edhe në lidhje me atë që tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë se kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj e ka kërkuar pozitën e kryeparlamentarit për të bërë koalicion.…

Lajme

21/05/2025 10:33

Deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku ka folur sot para se të filloj seanca e 19-të e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Ajo është deklaruar edhe në lidhje me atë që tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë se kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj e ka kërkuar pozitën e kryeparlamentarit për të bërë koalicion.

Izmaku ka thënë se në lidhje me atë që tha Kurti se me tre deputetë nuk mund të bëhet kryeparlamentar, ajo tha se numrat “nuk e përcaktojnë vlerën se a duhet apo jo të jetë një autoritet në krye të pozitave shtetërore”.

“Në Kosovë nuk kanë qenë gjithmonë numrat që e kanë përcaktu peshën që ka një lider, e në këtë drejtim Limaj dihet që ka dhënë një kontribut të çmueshëm si gjatë çlirimit të vendit po ashtu edhe viteve kyçe të krijimit të institucioneve. Limaj do të kish me përfaqësu shumë mirë të gjitha këto kritere sepse ka një autoritet dhe njihet si një autoritet përafrues në të gjithë skenën politike”, ka thënë Izmaku.

Kur u pyet nëse do të votojnë Albulena Haxhiun, ajo tha se mendon se nuk janë në “atë faze”, shkruan lajmi.net.

“Diskutimet tona të brendshme politike janë ende herët me e përcaktu këtë. Nëse do të bëhet një marrëveshje politike, sigurisht që ajo do të bëhet në tavolinë edhe do të jetë transparente, nuk do të bëhet përmes televizioneve”, ka thënë Izmaku.

Ajo ka thënë se diskutimet e Limajt me Kurtin kanë qenë të njëjtat diskutime që janë bërë edhe me liderët e partive tjera politike.

“Ka qenë konsruktiv por nuk besoj se më shumë duhet të them unë, flet Limaj së shpejti për të gjitha proceset”, ka shtuar ajo. /Lajmi.net/