“Nuk kemi informacion për shkelje të drejtave apo dhunë të ushtruar”
Ambasada shqiptare në Francë thotë se nuk ka asnjë informacion zyrtar për shkelje të të drejtave apo dhunë të ushtruar ndaj 23-vjeçarit Florenc Beqiraj, i cili humbi jetën në spitalin e Marsejës.
Lajme
Në linjë telefonike për Tv Klan, ambasadori Dritan Tola thotë se, pala shqiptare është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Ministrisë së Brendshme Franceze për rrethanat e ngjarjes, që çuan në vdekjen e të riut Beqiraj.
“Kontakti me autoritetet franceze që ditën e parë ka qenë i përorëshëm, me autoritete spitalore, policore dhe Ministrinë e Brendshme franceze pikërisht për të parë nëse ka patur ndonjë rast të shkeljes së të drejtave të qytetarit shqiptar. Ne nuk kemi informacion si ambasadë dhe Ministri e Jashtme për ndonjë shkelje të të drejtave apo interesave të një qytetari shqiptar, në rastin konkret të të ndjerit Florenc Beqiraj nga autoritetet zyrtare franceze. Jemi jashtëzakonisht të ndjeshëm për këtë rast për emocionin që mund të ketë krijuar, siç krijon çdo humbje jete dhe kjo është jo vetëm ndjeshmëri njerëzore por edhe detyrim i yni për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e shtetasve shqiptarë jashtë. Këtë e kemi sigurisht prioritet parësor”, transmeton Klan Kosova.
Ajo që do të hedhë dritë mbi të vërtetën e kësaj ngjarjeje, thotë ambasadori Tola, do të jetë atuopsia. Dhe vetëm pas kryerjes së saj trupi i 23- jeçarit Beqiraj do të kthehet në atdhe.
“Hetimi vazhdon dhe ne jemi në pritje edhe të autopsisë dhe të përfundimit të hetimit. Siç ka qenë edhe kërkesa e avokatit të familjes dhe menjëherë për t’u proceduar me formalitetet e kthimit për të bërë transportimin pranë familjes së tij”.
Lidhur me vdekjen e Florenc Beqirajt, përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar edhe në qytetin e vendlindjes së 23-vjeçarit në Shkodër.