Nuk ka mbetur kohë për negociata me Iranin

Një ministër izraelit tha se Irani ende beson se ka hapësirë për manovrim me fuqitë botërore, dhe se përderisa nuk përballet me një kërcënim ushtarak të SHBA’ve, ai nuk do t’i ndalojë aktivitetet e veta bërthamore.

Bota

21/09/2013 12:05

Irani është në proces të zhvillimit të një bombe bërthamore brenda gjashtë muajve dhe koha ka kaluar për negociata të mëtejshme, tha një ministër i lartë i Izraelit.

Ministri i Çështjeve Strategjike i Izraelit, Yuval Steinitz tha se Irani ende beson se ka hapësirë për manovrim në trajnimin me fuqitë botërore, dhe se përderisa nuk përballet me një kërcënim ushtarak të SHBA’ve, ai nuk do t’i ndalojë aktivitetet e veta bërthamore.

“Nuk ka më kohë për të mbajtur negociata”, tha Steinitz i cili është i afërt me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj dyshojnë se Irani është duke punuar rreth armëve bërthamore, pavarësisht insistimit të Teheranit se programi i tij atomik ka vetëm synime paqësore.

Gjatë katër viteve të negociatave ndërkombëtare të sponsoruara nga OKB mbi programin e diskutueshëm bërthamor, sanksionet kanë goditur ekonominë e Iranit. Steinitz tha se republika islamike vetëm sa i ka përmirësuar kapacitet e veta.

“Nëse iranianët vazhdojnë, në gjysmën e vitit të ardhshëm ata do ta kenë bombën’’.

Izraeli ka hedhur poshtë hapjen e Presidentit iranian Hasan Rouhani ndaj Perëndimit dhe zotimeve të tij në një intervistë në televizionin amerikan se Irani kurrë nuk do të zhvillojë armë bërthamore.

“Askush nuk duhet të mashtrohet nga fjalët mashtruese të presidentit iranian”, tha zyra e Netanyahu’t në një deklaratë të enjten.

Si Izraeli ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë dhënë shenja për një veprim ushtarak në mënyrë që të parandalohet zhvillimi i armëve bërthamore nga Irani në rast se sanksionet dhe diplomacia nuk bëjnë punë.

Por Steinitz tha se një frazë e cila është përdorur shpesh në të kaluarën nga udhëheqësit amerikanë dhe izraelitë – “të gjitha opsionet janë në tavolinë”- nuk mjaftojnë për ta bindur Iranin ta ndalë pasurimin e uraniumit.

“Unë jam i sigurt se nëse do të kishte pasur tre transportues aeroplanë me një deklaratë amerikane se në rast se iranianët nuk do të përfillnin vendimet e Këshillit të Sigurimit, amerikanët janë të gatshëm të sulmojnë që nga fillimi i vitit 2013, ata do të kishin vepruar ndryshe”.

“Sot iranianët llogarisin se kanë hapësirë për manovrim, kjo është gjëja më e rrezikshme”.

Irani thotë se puna bërthamore është krejtësisht paqësore dhe e quan arsenalin e supozuar atomik të Izraelit si rreziku më i madh në rajon.

Steinitz tha se Netanyahu e kishte marrë  një mësim nga Siria, ku bota është ndalur  tërësisht ndërsa mbi 100.000 njerëz kanë vdekur në dy vjet e gjysmë të luftës civile.

“Duhet të kuptohet se askush nuk do të vijë për të na ndihmuar në qoftë se ne humbim aftësinë për të mbrojtur veten. Prandaj ne duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar Iranin për marrjen e një arme bërthamore”.

Netanyahu pritet të takohet me Presidentin amerikan Barak Obama në Uashington më 30 shtator dhe ka thënë se ai dëshiron të përqendrohet rreth Iranit gjatë bisedimeve.