Nuk ka komuna të reja pa aprovimin e Kuvendit

Besnik Osmani i MAPL-së thotë se themelimi komunave të reja do të ndodhë vetëm në rast të ndryshimit të ligjit të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, Besnik Tahiri i AAK-së këtë e cilëson si lojë elektorale. Sipas tij, kjo çështje nuk është diskutuar në Kuvend.

Lajme

25/05/2014 15:16

Gëzimi i banorëve të Kijevës, i shprehur ditë më parë, mund të shndërrohet në dëshpërim. Kjo pasi fati i komunave të reja do të jetë në duart e legjislaturës së re.

Përbërja e re e Parlamentit do të jetë ajo që jep vulën për krijimin ose jo të komunave të reja.

Pasi për transformimin e fshatrave të Kijevës, Rugovës, Komoranit dhe Hogoshtit në komuna nevojitet ndryshimi i ligjit për kufijtë administrativë të komunave.

Pas miratimit të Projektligjit nga ana e Qeverisë, ai kalon për aprovim në Kuvend cili e thotë fjalën e fundit. 

Sekretari i Përgjithshëm i MAPL-së, Besnik Osmani thotë për lajmi.net se përgatitjet teknike nuk paraqesin problem të madh në krijimin e këtyre komunave. Mirëpo, sipas tij, sa do të marrë kohë përmbyllja e këtij procesi varet nga Qeveria dhe Kuvendi.

“Përgatitja në aspektin teknik nuk janë të rënda sepse kanë të bëjnë me ndryshimin e disa provizioneve ligjore, mirëpo se sa do të merr kohë miratimi i ligjit në Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës nuk e di, sepse duhet të ndryshohet ligji për kufijtë administrative të komunave”.

Themelimi i Komunave të reja pritet të jetë një barrë shtesë për buxhetin e Kosovës.

Osmani mendon se kjo do të rëndojë në buxhetin e komunave pjesë e së cilës janë edhe këto fshatra, që pretendojnë të marrin statusin e komunës.  

“Krijimi i komunave të reja kërkon edhe krijimin e buxhetit të nevojshëm, mirëpo në rastin e krijimit të komunave të reja, ai do të krijohet nga zvogëlimi i buxhetit të komunave ekzistuese”.

Qeveria e Kosovës të premten mori vendim për themelimin e komunave të reja. Kryeministri në largim, Hashim Thaçi i ka kërkuar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) që të përgatisë dokmunetacionin e nevojshëm për krijimin e komunës së Kijevës, Komoranit, Hogoshtit dhe Rugovës së Pejës.

Mirëpo, ky veprim në kohën kur Kosova po përgatitet që të hyjë zyrtarisht në fazën e procesit zgjedhor, nga Besnik Tahiri i AAK-së po cilësohet si lojë elektorale.

Tahiri deklaron për lajmi.net se vendimi i Qeverisë në largim nuk mund të zbatohet, pasi sipas tij, zbatimin i një politike të tillë qeverisëse në praktikë duhet të buxhetohet.

“Unë jam i bindur se nuk do të mashtrohen qytetarët e këtyre viseve të cilat mund të ndodhë që të meritojnë të kenë komunë”.

“Përderisa merren këto vendime, kjo nënkupton se ato janë vetëm në letër. Kjo letër përdoret në elektorat. Për shkak se në praktikë, për ta zbatuar një politikë qeverisëse ajo duhet të buxhetohet dhe krejt këto veprime nuk janë diskutuar në Parlament”.

“Parlamenti duhet të marrë vendim për rishikimin buxhetor dhe për vijat e reja buxhetore. dhe njëkohësisht për ndryshimin e ligjeve që e rregullojnë sistemin e qeverisjes lokale në veçanti ligjin për kufijtë administrative të komunave”.