“Nuk ka ilaq kur të dhemb shpirti”, neuropsikiatri flet për pasojat psiqike që personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë

Lajme

09/05/2022 22:38

Lajmi.net mbrëmë ka publikuar emisionin e parë dokumentar "PASOJË" që i kushtohet dhunimit të burrave dhe meshkujve në Kosovë nga ushtarët dhe policët serbë. Pjesë e dokumentarit ishte edhe një burrë i dhunuar, me identitet të mbrojtur i cili rrëfeu gjithë ngjarjen e tij, pasojat dhe përjetimet e vazhdueshme rreth kësaj ngjarjeje të rëndë.

Lidhur me këtë temë, lajmi.net brenda dokumentarit ka pasur edhe Sami Rexhepin, neuropsikiatër i cili ka folur për vuajtjet dhe pasojat që personat e dhunuar gjatë luftës i bartin me vete, shkruan lajmi.net.

“Ata janë njerëz të cilët nuk kanë gjumë të rregullt, të cilët janë plotë ankth , cilët janë plotë frikë, cilët janë dyshues dhe me një vuajtje të cilën mundohen me u mbulu, që mos me u pa nga jashtë vuajtja e tyre e brendshme. Kjo i bën që të mos jenë funksional, të jenë më të ndjeshëm, mundën me qenë më impulsivë, me të ulët durimin, të gjithë këto janë elemente që një person e bëjnë jo funksional. Ne nuk mundemi dikë me e shëru edhe me marrë aty qa u bo, nuk shkon, por ne mundohemi me e funksionalizu.”, tha Rexhepi.

Barra psikologjike që këta persona bartin në vete manifestohet edhe me efekte të cilat mund të jenë në dukshme edhe për familjen dhe rrethin.

“Janë karakteristikë edhe reagimet e tjera që mund të jenë në natyrën e depresionit afatgjatë, në nivele të ndryshme, varësisht prej kohës kur ka ndodh dhunimi, nëse ka ndodhë në moshat e hershme pasojat janë më afatgjata dhe më të rënda. Pastaj nivele shumë të larta të ankthit, që mund me u përcjell me telashe në shprehi të gjumit, në shprehi të ushqimit. Pastaj, raportet sociale dëmtohen në masë të madhe. Këta persona humbin besimin te vetja se janë të pranueshëm në aspektin social, se janë të dëshirueshëm në aspektin social. Përpos këtyre, varësisht nëse i bëjnë studimet, punën që e bëjnë, performanca në vendin e punës bie në masë të madhe sepse humbet fokusi në punë dhe në studime dhe gjatë gjithë kohës personi mund të jetë në një pozitë ku në mënyrë të dhunshme, në mënyrë të padëshirueshme e ripërjeton situatën traumatike, i rishfaqen imazhe, zëra e të tjera të situatës traumatike të përdhunimit.”, thotë Rexhepi.

YouTube player

Viktimat e dhunës seksuale ndonjëherë tentojnë që të shkëputen tërësisht nga ngjarja që u ka ndodhur, por fatkeqësisht në këtë nuk ndihmon asnjë terapi e mundshme.

“Atë person që të jetë funksional më së pari në familje, shoqëri, pastaj edhe në vendin e punës, duke e kuptu ngjarjen si diçka që ka nuk ka ndodh me fajin e tyre, mirëpo fillimisht kurrë nuk vinë me atë ankesë, zakonisht vinë për trajtimin e simptomave apo përjetimeve që i kanë si pasojë e asaj. Po flasim për një plagë shumë të madhe shpirtërorë, praktikisht nuk shërohet kurrë, që mbetet një stres i madh për tërë jetën edhe sa të jetë mosha më e re, shkalla e lëndimit është më e madhe edhe është diçka që jetë për tërë jetën. Mandej jemi një shoqëri patriarkale me një kulturë dhe traditë që nuk flasim shumë për emocionet tona dhe nuk i ndajmë me tjerët, kështu që ata persona mbeten në një fare mënyrë me një problem vetëm, me një problem të cilën e kanë shumë vështirë me fol se ai akt të mashkullit është një zhburrnim i tyre dhe është shumë vështirë me nda me këtë dhimbje me dikë tjetër, për shkak të paragjykimeve që ekzistojnë në shëndetin mendor. Mirëpo, fakti që jemi shoqëri patriarkale, ku burrnia vlerësohet pak më ndryshe. Ne provojmë ata persona me u ballafaqu me këtë ngjarje, nuk kërkojmë prej tyre me harru, sepse është diçka që nuk harrohet. I bëjmë të kuptojmë se edhe ne bashkë ndiejmë atë dhimbje shpirtërore, porse jeta vazhdon dhe duhet me u sfidu me ato çka na pret në jetë. Nuk ka dhimbje më të madhe se ndjenja e të qenurit vetë, se gjitha dhimbjet jonë organike, ka një ilaç i cili i pushon në trup, mirëpo nuk ka ilaç kur dhemb shpirti.“, thotë ai krejt në fund. /Lajmi.net/ 

YouTube player