Nuk janë plotësuar kushtet për liberalizim

Analistja Engjëllushë Morina thotë se Kosova nuk ka përmbushur kriteret e vëna nga BE sidomos në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas saj, vendi nuk plotësoi kushtet teknike e jo politike.

Lajme

22/01/2014 20:23

Mospërmbushja e kushteve të vëna nga Bashkimi Europian, sidomos në çështjen e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, do ta lë Kosovën pa liberalizim të vizave edhe në vitin 2014.

Në vijë me ato që tha të martën në Prishtinë Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacel, analistja kosovare Engjëllushë Morina thotë se kosovarët mund të udhëtojnë lirshëm nëp shtetet e zonës Schengen vetëm atëherë kur vendi t’i plotësojë kriteret e kërkuara.

Në një bisedë për lajmi.net, Morina është shprehur se është vështirë të parashikohet se kur do të ndodh një gjë e tillë.

“Ne këtë e kemi dëgjuar edhe më herët prej zyrtarëve që vijnë prej Brukselit, këtë gjë e ka thënë edhe Stephan Fule para disa muajsh”, thotë Morina, e cila është Kryesuese e Këshillit të Prishtinës për Marrëdhënie me Jashtë.

“Kriteret të cilat janë vënë nga Bashkimi Europian për tu plotësuar, kushtet që duhet të plotësuar nuk janë plotësuar dhe për atë arsye liberalizimi i vizave vetëm çka do të shtyhet për një kohë tjetër”.

Engjëllushë Morina

“Siç duket në 2014 shanset janë që nuk do të ketë liberalizim të vizave për shkak të këtyre kushteve të paplotësuara. Janë katër shtylla, të cilat duhet të ndiqen dhe të plotësohen prej së afërmi, sidomos shtylla e korrupsionit dhe krimit të organizuar është njëra prej shtyllave për plotësimin e kritereve kryesore”.

“Kur të plotësohen kushtet, apo kur të jemi afër plotësimit të këtyre kritereve, besoj që atëherë kishte me qenë edhe më lehtë të parashikohet kur do të jetë liberalizimi i vizave”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, e cila po qëndron këto ditë në Kosovë, ka thënë se heqja e regjimit të vizave nuk do të bëhet këtë vit. Sipas saj, këtë nuk e di as Komisioni Europian , por mendon se kjo mund të ndodh  “pas një, dy apo tri vitesh”.

Për Morinën, e gjithë kjo vjen si pasojë e mosplotësimit të çështjeve teknike.

“Unë mendoj që është shumë e thjeshtë. Më shumë është çështje teknike se sa politike ose se sa në aspektin meritor sepse qytetarët e Kosovës i meritojnë vizat.

“Duhet të plotësohen kushtet që në fakt janë shumë qartazi të shtjelluara në dokumentet e ndryshme dhe nuk ka kushedi se sa problem për t’i plotësuar këto kushte”.

Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, një numër i madh i qytetarëve gjatë vitit 2013 kanë i kur nga Kosova në mënyrë ilegale, duke kërkuar një jetë më të mirë në vendet të ndryshme të Europës.

Morina mendon se edhe kjo çështje ka luajtur rol që Kosova ta humb mundësinë që qytetarët e saj të lëvizin pa viza.

“Për ata nuk do të ketë vendqëndrim të përhershëm sepse shtetet e BE’së nuk pranojnë më azilkërkues prej Kosovës”.

“Kjo gjithsesi që ndikon në reputacionin e kosovarëve. Secili ministër i punëve të brendshme i shteteve të ndryshme do të frikësohej në momentin kur vjen momenti i liberalizimit të vizave, sepse këto të dhëna që qytetarët e Kosovës janë të interesuar që të lëshojnë vendin janë shqetësuese”, ka thënë Engjëllushë Morina për lajmi.net