“Nuk është e rëndësishme sa ka kosto financiare” – Qysh e kishte ftuar dy herë në takim Bislimi – Pecin për fabrikën për mbetje shtazore

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi sot do të intervistohet nga Prokuroria Speciale në lidhje me skandalin e publikuar e që lidhet me kontratën për fabrikën për mbetje shtazore. Por, si u përfshi në këtë skandal zv/kryeministri në detyrë Besnik Bislimi? Në një intervistë gjatë muajit maj në Kallxo.com, ministri i Bujqësisë, Faton Peci kishte thënë…

Lajme

18/06/2025 09:41

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi sot do të intervistohet nga Prokuroria Speciale në lidhje me skandalin e publikuar e që lidhet me kontratën për fabrikën për mbetje shtazore.

Por, si u përfshi në këtë skandal zv/kryeministri në detyrë Besnik Bislimi?

Në një intervistë gjatë muajit maj në Kallxo.com, ministri i Bujqësisë, Faton Peci kishte thënë se Bislimi e kishte ftuar dy herë në takim atë për të biseduar në lidhje me kontratën për fabrikën për mbetje shtazore, shkruan lajmi.net

“M’ka ftu dy herë në zyre për këtë temë edhe bashkë me stafin që merret me vlerësimin e mekanizmave evropian. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë nuk është e rëndësishme sa ka me pas kosto financiare”, kishte thënë ndër të tjera Peci në intervistën e tij.

Në lidhje me këtë çështje, në cilësinë e të dyshuarit, javë më parë u intervistua edhe Faton Peci.

Prokuroria Speciale kishte zbarkuar në Ministrinë e Bujqësisë javë më parë në lidhje me dyshimet mbi këtë çështje. Gjatë bastisjes, Prokuroria kishte konfiskuar materiale të ndryshme, që ndërlidhen me këtë kontratë.

Në lidhje me këtë çështje i përfshirë dyshohet të jetë edhe Florin Bislimi ,vëllai i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.

Siç raportohet, Florin Bislimi kishte punuar në kompaninë “Kosova e re”, që para se të hynte në procesin e falimentimit ishte në pronësi të një biznesi me emrin “Fitorja”. Hulumtimi zbardhi detaje se Drejtor menaxhues në këtë biznes ishte Naser Maloku, i cili ka 40% të aksioneve në Kompaninë që fitoi Kontratën, që e nënshkroi për 20 vjet ministri Faton Peci.

Pas intervistimit nga Prokuroria, Faton Peci kishte dal me një reagim duke thënë “Ka Zot”.

“Të dashur qytetarë, miq e familjarë; U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë. Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin! Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare. Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim. Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!”, shkroi Peci në Facebook. /Lajmi.net/