“Nuk duhet të jetë spektatore”, “të ndërhyjnë shtetet perendimore” – A ka rol qendror Presidentja në konstituimin e Kuvendit?

Nesër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të 19-tën herë për të provuar nëse arrijnë ta konstituojnë Kuvendin. Janë bërë më shumë se 3 muaj nga zgjedhjet në Kosovë, ku si parti fituese doli Vetëvendosje, por e pafuqishme për ta formuar qeverinë e vetme. Partia e parë nuk zmbrapset nga…

Lajme

20/05/2025 19:33

Nesër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të 19-tën herë për të provuar nëse arrijnë ta konstituojnë Kuvendin.

Janë bërë më shumë se 3 muaj nga zgjedhjet në Kosovë, ku si parti fituese doli Vetëvendosje, por e pafuqishme për ta formuar qeverinë e vetme.

Partia e parë nuk zmbrapset nga propozimi i tyre i parë që Albulena Haxhiu të jetë kryetare e ardhshme e Parlamentit të Kosovës, e votë për këtë nuk po merr nga partitë opozitare, PDK, LDK e AAK.

Partitë opozitare me liderët e tyre kërkuan një takim të përbashkët me presidenten, ku pjesë e tyre ishte edhe kreu i VV-së, Albin Kurti.

Takimi i 15 majit i thirrur nga Presidentja, rezultoi të jetë i pasuksesshëm pasi pas këtij takimi të përbashkët edhe dy seanca të tjera për konstituim të kuvendit dështuan.

A ka rol qendror Presidentja e Kosovës dhe ndikim për partitë politike që ta konstituojnë kuvendin?

Se cili është roli i saj në këtë drejtim për Lajmi.net kanë treguar njohësit e çështjeve juridike në vend, Ardian Bajraktari dhe Xhevdet Smakiqi.

Bajraktari i tha lajmi.net se nesër pret një reflektim nga partitë politike për ta tejkaluar këtë bllokadë pasi është detyrë dhe përgjegjësi e deputetëve të shkojnë në këtë drejtim, sipas tij ata herët apo vonë do të ulen dhe të diskutojnë.

“Diçka që e ka karakterizuar këtë proces është, mungesa e transparencës në raport me publikun. Presim të shohim nëse ka ndonjë reflektim, në drejtim të tejkalimit të kësaj bllokade, është detyrë dhe përgjegjësi e deputetëve, e në këtë drejtim natyrisht se përgjegjësinë më të madhe e ka subjekti politik fitues relativ i zgjedhjeve. Pra duhet reflektim nga subjektet politike, herët apo vonë ata duhet të ulën dhe të diskutojnë, madje qoftë edhe nëse duhet shkua në zgjedhje, duhet fillimisht konstituimin e Kuvendit”, tha Bajraktari.

Avokati, Bajraktari tutje tha se Presidentja ka rol të përcaktuar me Kushtetutë, po pavarësisht kësaj ajo nuk duhet të jetë spektatore në këtë bllokadë për shkak se pasojat janë të mëdha për vendin.

“Presidentja e vendit është garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, kjo është kompetencë e përcaktuar me nenin 84, paragrafi 2 të Kushtetutës, pavarësisht rezultateve të takimit të parë, një angazhim i saj duhet të ndodhë, nuk duhet të jetë spektatore në këtë bllokadë për shkak se pasojat janë të mëdha për vendin”, vazhdoi tutje ai.

Avokati, gjithashtu shtoi se në rrethana normale, Presidentja nuk duhet të përfshihet në këtë fazë por kur nuk ka zgjidhje për kaq kohë të gjatë është e favorshme edhe ndërhyrja e saj.

“Në rrethana normale nuk do të duhej të ndodhte përfshirja e Presidentes në këtë fazë, por duke qenë se tashmë Kuvendi është në bllokadë dhe deputetët e zgjedhur nuk po arrin ta tejkalojnë këtë situatë në drejtim të jetësimit të vullnetit politik të qytetarëve të shprehur në zgjedhje, një angazhim i tillë është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Natyrisht se Presidentja nuk mund të imponoi ndonjë rezultat, dalja nga kjo bllokadë është detyrë e subjekteve politike, është detyrë e deputetëve”, u shpreh ai për lajmi.net.

Pritjet ishin të mëdha që takimi mes presidentes dhe krerëve të partive të jepte ndonjë rezultat, por një që e tillë nuk po ndodhi.

Presidentja pas takimit me përfaqësuesit e partive paralajmëroi se nuk e ka problem që bllokadën në Kuvend ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo tha se këtë do ta shqyrtojë vetëm nëse procesi zvarritet edhe më shumë.

“Nëse kjo zvarritet shumë, janë disa opsione që vetë deputetët ta shfrytëzojnë. Deri tani AAK ka kontestuar një vendim, por që lidhet me formën e votimit jo domosdo me proceset tjera. Të shfrytëzoj prerogativat kushtetuese dhe t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese”, u tha Osmani në takimin para pesë ditësh liderëve të partive në vend.

Ndërkaq, për dalim nga Bajraktari – bllokadën në Kuvend avokati, Xhevdet Smakiqi ia atribuon kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit, ku thotë se 18 seanca në tentativë e kanë motivin politik tek Kurti që nuk arriti t’i rrëmbejë 500 mijë vota.

“Bllokada e konstituimit te Kuvendit te Republikës se Kosovës qe 18 Seanca ne tentativë gjenezën e ka ne motivet politike te kreut te LVV-se, si hakmarrje ndaj qytetarëve te Republikës se Kosovës qe nuk arriti me shtosa e vica sllave te rrëmbej 500 mijë vota. Prandaj orgjinë e bllokimit nuk qëndron as ne zgjidhjet kushtetuese as procedurale por te hakmarrja e një individi si A.K qe nuk mashtroje 500K votues. Fatkeqësia e madhe është qe vitin 2025 nuk ekziston presioni efektiv ndërkombëtar qe te shtyp narcizoizmin e një personi të Albin Kurti”, tha Smakiqi për lajmi.net.

Smakiqi tutje tha se Kurti ka për qëllim që vendin ta dërgojë në zgjedhje të parakohshme dhe se nuk mund të ketë dalje nga bllokada pa marrveshje politike, dhe sipas avokatit kosovar i zgjidhja e vetme është presioni efektiv i shteteve mike perëndimore.

“E kemi theksuar disa herë se qëllimi i qartë i Albin Kurtit është pavarësisht dëmeve te interesave vitale te Republikës se Kosovës, vendin ta dërgoj në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme dhe t’i bëjë bashke me zgjedhjet lokale që mbarojnë në tetor të vitit 2025. Nuk mund mund të ketë dalje nga bllokada pa marrëveshje politike se paku me një parti shqiptare per te arritur 61 vota minimalisht për të konstituar Kuvendin. Ska nevojë të jesh as juristë mesatar per te kuptuar bllokadën hakmarrëse te Albin Kurtit që nuk i mashtroi 500 mijë votues me datën 09.02.225. Zgjidhja e vetme është presioni efektiv i shteteve mike perëndimor që në emër te lrigarantuseve përmes ushtarëve e tyre e insvestimeve 25 vjeçare ne shtetdertimin e Kosovës të shembin narcizoizmin e Albin Kurtit në interes të mbrojtës se Kosovës”, tha ai.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar në vazhdimsi që LVV-ja të propozojë një emër tjetër për postin e kryeparlamentarit, një person që sipas tyre, është figurë unifikuese, në mënyrë që t’i marrë votat e deputetëve të tyre. Ndërsa në anën tjetër vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore.

Vetëm pas votimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve, procesi i legjislaturës së re do të konsiderohej i përmbyllur.

Me konstituimin e Kuvendit do t’i hapej rruga formimit të ekzekutivit të ri.

LVV-ja i ka fituar zgjedhjet me 42 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvend. Por, edhe për formimin e Qeverisë asaj i duhen të paktën 61 vota të deputetëve.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Seanca nesër është thirrur për në ora 11:00. /Lajmi.net/