“Nuk do ta lejoj trashëgiminë tënde të vdesë”, mes lotësh flet gruaja e Charlie Kirk
Gruaja e aktivistit konservator Charlie Kirk, Erika Kirk, ka mbajtur një fjalim emocional pak ditë pas vrasjes së bashkëshortit të saj në një kampus universitar në Utah. Me lot në sy, ajo falënderoi ekipet e ndihmës së shpejtë që u përpoqën ta shpëtonin, si dhe miqtë e bashkëpunëtorët që kanë qëndruar pranë familjes në këtë…

Bota
Gruaja e aktivistit konservator Charlie Kirk, Erika Kirk, ka mbajtur një fjalim emocional pak ditë pas vrasjes së bashkëshortit të saj në një kampus universitar në Utah.
Me lot në sy, ajo falënderoi ekipet e ndihmës së shpejtë që u përpoqën ta shpëtonin, si dhe miqtë e bashkëpunëtorët që kanë qëndruar pranë familjes në këtë periudhë të vështirë.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë nga selia e Turning Point USA në Arizona, ku përkrah saj ishte vendosur karrigia bosh e Charlie Kirk, zonja Kirk citoi pasazhe nga Bibla dhe foli për dashurinë e burrit të saj ndaj familjes, Presidentit Donald Trump, Zëvendëspresidentit JD Vance dhe Shteteve të Bashkuara.
Charlie Kirk, 31 vjeç, u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një aktiviteti në ajër të hapur në Orem, Utah. I dyshuari për vrasjen, Tyler Robinson, u dorëzua dhe u arrestua të enjten në mbrëmje.
“Zëri i burrit tim do të mbetet,” tha Erika, duke e shoqëruar fjalën me një lutje në heshtje dhe emocion. Ajo falënderoi gjithashtu Presidentin e SHBA-së dhe familjen Vance për mbështetjen, ndërsa kujtoi me mall dashurinë e madhe të Charlie-t për fëmijët dhe për të.
“Por mbi të gjitha, Çarli i donte fëmijët e tij. Dhe më donte mua. Me gjithë zemër,” tha ajo me zë të thyer.
Duke iu drejtuar autorit të krimit dhe atyre që e kundërshtonin kauzën e burrit të saj, ajo u shpreh: “Nuk e keni idenë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje… britmat e kësaj vejushe do të jehojnë në të gjithë botën si një britmë beteje.”
Erika Kirk njoftoi se turneu universitar i burrit të saj do të vazhdojë gjatë vjeshtës dhe në vitet që vijnë, po ashtu edhe podkasti i tij.
Në përfundim të fjalës, ajo foli me dhimbje për dy fëmijët e tyre, një vajzë trevjeçare dhe një djalë njëvjeçar, të cilëve u përpoq t’u shpjegonte mungesën e babait.
“Zemër, babi të do shumë. Mos u shqetëso. Ai është në një udhëtim pune me Jezusin,” theksoi ajo se i kishte thënë vajzës së tyre.
Sipas raportimeve, zonja Kirk dhe fëmijët ishin të pranishëm në audiencë kur ndodhi ngjarja tragjike. Ajo, 36-vjeçare, ka premtuar se trashëgimia dhe misioni i bashkëshortit të saj do të jetojnë përtej vdekjes së tij.