Norvegjia hap hetim ndaj ish-kryeministrit Jagland për lidhjet me Epstein
Autoritetet norvegjeze kanë hapur një hetim ndaj ish-kryeministrit Thorbjorn Jagland për dyshime për korrupsion pas zbulimeve mbi lidhjet e tij me pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein. Sipas Associated Press, Shërbimi Norvegjez për Hetime të Krimit Ekonomik po shqyrton nëse Jagland ka marrë dhurata, udhëtime apo hua lidhur me pozitat e tij, ndërsa po kërkohet edhe…
Bota
Autoritetet norvegjeze kanë hapur një hetim ndaj ish-kryeministrit Thorbjorn Jagland për dyshime për korrupsion pas zbulimeve mbi lidhjet e tij me pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Sipas Associated Press, Shërbimi Norvegjez për Hetime të Krimit Ekonomik po shqyrton nëse Jagland ka marrë dhurata, udhëtime apo hua lidhur me pozitat e tij, ndërsa po kërkohet edhe heqja e imunitetit që i garanton statusi i tij si diplomat, transmeton KosovaPress.
Ai po bashkëpunon me autoritetet, i ka thënë përfaqësuesi ligjor i tij transmetuesit norvegjez, NRK.
Jagland ka shërbyer si kryeministër (1996–1997), kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Dokumentet tregojnë se në 2014 ai planifikoi të vizitonte ishullin e Epstein me familjen e tij.
Gjithashtu, Forumi Ekonomik Botëror ka nisur rishikim për CEO-në e tij, Borge Brende, pasi dokumentet tregojnë se ai kishte darkuar dhe shkëmbyer mesazhe me Epstein. Norvegjia po heton edhe Princeshën Mette-Marit për kontakte të mëparshme me Epstein, përfshirë qiranë e një prone të tij në Palm Beach në 2013. Ajo ka deklaruar se nuk ka hetuar mjaftueshëm të kaluarën e Epstein dhe shpreh keqardhje për kontaktet e saj.
Hetimet e fundit pasojnë publikimin e mbi 3 milion faqe dokumente nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së mbi Epstein, i cili sipas autoriteteve vrau veten në 2019 ndërsa priste gjyqin për abuzim seksual me vajza të mitura.