Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, çelësi i Serbisë për integrim në BE

Hapja e kapitullit të parë të negociatave për pranim të Serbisë, do të jetë prioritet i BE-së, por e gjithë shpejtësia e këtij procesi do të varet nga progresi që ajo do të arrijë, duke përfshirë këtu edhe vazhdimin e dialogut me Kosovën. 

Lajme

05/01/2015 09:43

Edgars Rinkevics, kryetar i Këshillit të Ministrave të BE-së dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Letonisë, e cila në këtë fillimvit ka marrë drejtimin e presidencës së Bashkimit Europian, në një intervistë për “Vecernje Novosti”, ka thënë se

çelësi hapjes së kapitullit të parë të negociatave për pranim të Serbisë në BE, janë progresi në drejtësi dhe sundim të ligjit, si dhe vazhdimi i dialogut me Kosovën, transmeton lajmi.net.

“Letonia pret që Serbia dhe Kosova të vazhdojë të punojë në normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha nivelet, ashtu si të dyja palët kanë rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të prillit 2013. Dialogu në nivel të lartë politik, tash pas formimit të Qeverisë së Kosovës, duhet të rifillojë, me qëllim të përshpejtimit të zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese”, ka thënë Rinkevics.

Ai ka shtuar se nuk ka asnjë ndryshim në lidhje me objektivat e dialogut, dhe ai duhet të çojë në një normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. (lajmi.net)