Njëri nga të arrestuarit ‘i afërm i të dyshuarit kryesor për vrasjen e Afrim Bunjakut’
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, është deklaruar lidhur me arrestimin e 16 shtetasve serbë në dy operacione të zhvilluara në qytetet e Prizrenit dhe Gjakovës. Sipas ministrit Sveçla, të arrestuarit ishin të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Hetimet fillestare tregojnë se grupet dyshohet të kenë pasur për qëllim…

Lajme
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, është deklaruar lidhur me arrestimin e 16 shtetasve serbë në dy operacione të zhvilluara në qytetet e Prizrenit dhe Gjakovës.
Sipas ministrit Sveçla, të arrestuarit ishin të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë.
Hetimet fillestare tregojnë se grupet dyshohet të kenë pasur për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme në territorin e Kosovës.
“Gjatë kontrollit të automjetit të grupit të parë janë gjetur dëshmi që i ndërlidhin këta persona me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe dhe me anëtarë të grupit terrorist që mori pjesë në sulmin e armatosur në Banjskë,” deklaroi Sveçla.
Ndër provat e sekuestruara janë përfshirë fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, imazhe të pjesëtarëve të vrarë të grupit terrorist të Banjskës, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative.
Me urdhër të prokurorit, këta persona janë ndaluar për 48 orë.
Grupi i dytë, i përbërë nga 12 persona, është ndaluar në Prizren, ku po qëndronin në ambientet e Seminarit Ortodoks të Bogosllavisë.
“Edhe në këtë grup janë identifikuar dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë,” shtoi ministri.
Sveçla theksoi gjithashtu se hetimet paraprake kanë zbuluar se njëri nga të ndaluarit është zyrtar policor serb me gradë të togerit, i cili ka lidhje familjare të ngushta me Nemanja Radivojeviq, i njohur me nofkën “Gandi”, pjesëtar i grupit terrorist të Banjskës.
Radivojeviq është kushëri i Vladimir Radivojeviq, i njohur si “Mami”, i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ndërkaq, zyrtari tjetër i ndaluar është një kapiten i klasit të parë i ushtrisë serbe, i cili, sipas Sveçlës, ka lidhje me ish-gjeneralin e inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanoviq. Ky i fundit është i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s përpara bombardimeve mbi caqet serbe.
Hetimet për këtë rast janë në vazhdim.