Njerëzit e medias cilësojnë deklaratat e kryeministrit diktatoriale

Ashpër janë kritikuar deklaratat e një dite më parë të kryeministrit Isa Mustafa, i cili duke folur për protestën e dhunshme të së martës, akuzoi disa media se u bënë bashkorganizatore në rrënimin e shtetit.

Lajme

29/01/2015 19:28

Njerëzit e medias e krahasojnë këtë deklaratë të Mustafës me ato të diktatorëve, raporton KTV.

Deklarime të tilla duhet marrë me shumë shqetësim, thotë gazetari Besnik Krasniqi, që këtë deklarim të Mustafës e sheh si kërcënim të hapur dhe që, sipas tij, mund të dëgjohet vetëm nga një vend tiran ku nuk flitet fare për demokraci.

Edhe Zekirja Shabani, që mbron të drejtat e gazetarëve, këtë deklaratë të Mustafës e quan kërcënim publik për mediat dhe gazetarët.

Derisa Mustafa tenton t’ia hedhë fajin medias që nxiti dhunën në protesta, Shabani thotë se gazetarët nuk e sollën krizën politike dhe nuk janë shkaktarët e të këqijave që i nxitën qytetarët të protestojnë.

Edhe Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike e Politike, deklaratat e Mustafës i quan të papërgjegjshme, që nuk guxon t’i bëjë një kryeministër i një shteti demokratik.