Një varr në oborr
Lajmi më bizar i kësaj fushate erdhi sot nga një fshat i Lipjanit. Kryetarit të nëndegës së LDK’së në Gllogovc dikush ia hapi varrin në oborr të shtëpisë. LDK e cilësoi këtë si “provokim nga kundërshtarët politikë”.
Lajme
Fushatën e Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka përcjellë një ngjarje e jashtëzakonshme. Pak para një tubimi elektoral në fshatin Gllogovc të Lipjanit, pjesëtarë të LDK’së kanë hasur në një varr të hapur në pronën e Kryetarit aktual të Nëndegës në këtë fshat, Rexhep Arifi.
Ky veprim është bërë i ditur me anë të një komunikate të LDK’së, i cili është cilësuar si provokim nga kundërshtarët politikë.
“Ky akt i shëmtuar i njerëzve të këqij e huliganë është tejet shqetësues, edhe pse në të kaluarën politika qëllimkeqe ka ditur të provokojë edhe në mënyra të tjera, mirëpo kjo është nga provokimet më ekstreme”, thuhet në këtë komunikatë.
“Me këtë rast po merret Policia e Kosovës dhe LDK’ja kërkon zbardhjen e tij sa më të shpejtë. Njëkohësisht, Dega e LDK’së e Lipjanit reagon ndaj shkatërrimit të panos së LDK’së në fshatin Jeta e Re, ku persona të njohur, përveçse e shkatërruan panon e LDK’së e larguan atë nga vendi ku ishte vendosur”.
“Dega e LDK-së e Lipjanit konsideron se këto janë shenja të frustrimeve militantiste politike dhe, si të tilla, paraqesin sjellje jo civilizuese dhe të papranueshme”, thuhet në reagimin e degës së LDK’së në Lipjan.