Një Real perfekt, për ta mposhtur Bayernin

16:54 | 22 Prill 2014

Alonso në konferencë për shtyp

Xabi Alonso mendon se nuk ka favorit në duelin ndërmjet Realit dhe Bayernit. Mesfushori spanjoll insiston se ekipi i tij duhet të bëjë lojë perfekte, për të shkuar në finale.

Xabi Alonso thotë se Real Madridi duhet të jetë perfekt, për ta mposhtur Bayern Munichut, ndërsa insiston se asnjëri ekip nuk mund të konsiderohet favorit.

Ekipi i Pep Guardiolas do të udhëtojë të mërkurën mbrëma drejt kryeqytetit spanjoll, për t’u përballur me skuadrën e Carlo Ancelottit, në ndeshjen e parë gjysëmfinale të Ligës së Kampionëve.

“Ne nuk po mendojmë çka ka ndodhur dy vjet më parë, sepse ishte një kohë tjetër. Duhet ta bëjmë një lojë perfekte. Duhet ta dimë se si të mbrohemi dhe të sulmojmë mirë, kur ta kemi topin”, deklaroi Alonso në konferencë për shtyp.

“Bayerni është një rival i madh, por ne po kalojmë në një moment të mirë dhe akush nuk është favorit. Ishim në gjysmëfinale në tri sezonet e kaluar dhe tash duam ta bëjmë hapin tjetër”, vazhdoi përfaqësuesi spanjoll, i cili beson se Cristiano Ronaldo mund ta vendos lojën, nëse është i gatshëm 100 për qind për të luajtur.