Një orë deri te takimi Kurti-Abdixhiku, a pritet të zgjidhet çështja e Presidentit?

Me 5 mars, tri ditë nga sot, është dita e fundit kur në Kuvend të Kosovës mund të zgjidhet Presidenti/ja apo vendi të shkoj në zgjedhje. Kjo datë është afati i fundit që të “binden” 80 deputetë të Kuvendit që të ngrenë dorën pro kandidatit që do të propozohet. Në lidhje me këtë, kryeministri i…

Lajme

02/03/2026 12:48

Me 5 mars, tri ditë nga sot, është dita e fundit kur në Kuvend të Kosovës mund të zgjidhet Presidenti/ja apo vendi të shkoj në zgjedhje.

Kjo datë është afati i fundit që të “binden” 80 deputetë të Kuvendit që të ngrenë dorën pro kandidatit që do të propozohet.

Në lidhje me këtë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti po i vazhdon takimet me krerë të partive opozitare me qëllim të arrijnë një koncensus për një emër të përbashkët.

Kurti dy herë radhazi e ka takuar të parin e PDK-së, Bedri Hamzën. Në takimin që kanë mbajtur të shtunën, Hamza i ka thënë Kurtit se përgjegjësia për zgjidhjen e kësaj çështje i takon shumicës.

“Përgjegjësia për këtë proces është e qartë dhe e padiskutueshme: i takon partisë më të madhe dhe shumicës parlamentare që udhëheq me vendin. Ata që e kanë mandatin për të qeverisur, e kanë edhe detyrimin për ta siguruar zgjedhjen e Presidentit”, ka thënë Hamza, ndërsa ka shtuar se PDK ka vepruar me maturi dhe përgjegjësi.

Pas deklarimit publik të familjes Jashari, Hamza ka thënë se rrethanat ndryshuan.

“Sot, në takimin e dytë që pata me z. Kurti për këtë çështje, pas mbledhjes së kryesisë së partisë gjatë ditës, si PDK ofruam edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet e reja: kërkuam që të zgjedhet një President i propozuar nga PDK-ja, si zgjidhje për të garantuar stabilitet institucional dhe tejkalim të ngërçit politik. Me këtë ofertë, të bërë në frymë përgjegjësie dhe për të mos e lënë vendin në krizë të panevojshme, Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është i përmbushur”, ka thënë Hamza.

Ai ka thënë se shumica parlamentare tani e ka të qartë pozicionin e PDK-së.

“Ne nuk mund dhe nuk do të marrim mbi vete përgjegjësi që nuk na takojnë. Nuk mund t’ua mbulojmë mungesën e numrave. Nuk mund t’ua kompensojmë mungesën e vendimmarrjes. Dhe nuk mund të zëvendësojmë shumicën parlamentare. Ne jemi opozitë. Dhe do të sillemi si opozitë: kritikë kur cenohet interesi publik dhe të qartë kur tentohet të zhvendosen përgjegjësitë”, ka thënë Hamza, duke shtuar se as sot dhe as nesër nuk janë pengesë e proceseve shtetërore.

Në lidhje me këtë takim dhe rrjedhën e ngjarjes, edhe vetë Kurti ka folur dje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV.

Ai ka thënë se sipas tij kandidat i duhur është nga familja Jashari, përkatësisht Murat Jashari.

Kurti theksoi nevojën për një proces institucional dhe të përgjegjshëm në përzgjedhjen e presidentit të vendit.

“Pas formimit të qeverisë, kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, duke pasur parasysh kohën e shkurtër që kemi në dispozicion, por gjithmonë pa harruar faktin se përzgjedhja e Presidentit nevojiten 80 vota në Kuvend. Kam qenë plotësisht i vetëdijëshëm që Lëvizja Vetëvendosje e vetme nuk i ka votat. Për këtë arsye, menjëherë kam vendosur kontakte me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, me qëllim që të diskutojmë për mënyrat e tejkalimit të kësaj sfide në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Takimet kanë qenë konstruktive dhe fillimisht ka qenë një pajtueshmëri se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese”, u shpreh ai.

Ai theksoi se një figurë e tillë do të ishte e pranueshme për të gjithë spektrin politik.

“Një figurë e tillë, padiskutueshme për të gjithë, sigurisht do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë e profesorit e personalitetit si Murat Jashari do të gëzonte mbështetjen e gjithë spektrit politik, do të ishte nder për Republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin. Rrethanat gjeopolitike, nga lufta në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Afërme dhe tensionet në Lindjen e Mesme, si dhe kërcënimet e sulmet e njëpasnjëshme nga Serbia, përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin kinetik në Kanalin e Ibër-Lepencit dhe kërcënimet e vazhdueshme nga fqinji ynë verior, kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë e cila i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë”, tha ai.

Murat Jashari ditë më parë përmes një interviste e ka mohuar se do të jetë kandidat për President dhe ka thënë se këtë do ta bënte vetëm në rast të një situate emergjente në vend, ndërsa të njëjtën e ka thënë edhe Bekim Jashari.

Kurti sot do të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Ky është takimi i dytë me radhë mes tyre për çështjen e Presidentit dhe do të filloj nga ora 14:00.

Deri tani, emra që janë përmendur si kandidatë për President janë Vjosa Osmani e cila e ka konfirmuar se e kërkon edhe një mandat, Arsim Bajrami që ka shpallur publikisht gatishmërinë e tij, Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj, por që deri më tani asnjëri nuk është propozuar nga asnjëra parti.

Që emri i një kandidati të shkoj për votim në Kuvend, nevojiten 30 nënshkrime të deputetëve. Pasi të shkoj në Kuvend, në dy raundet e para të votimit nevojiten 80 vota ndërkaq në raundin e tretë Presidenti mund të zgjidhet edhe vetëm me 61 vota por me kuorum prej 80 deputetësh.

Tri ditët e ardhshme janë vendimtare për atë që mund të ndodh në Kosovë në lidhje me çështjen e Presidentit. /Lajmi.net/